
Anëtarët e Kushtetueses kanë të hënën mundësinë e tyre të fundit për të zgjedhur me votë të fshehtë kreun e gjykatës. Dështimi i dy raundeve të votimit, për shkak të mosarritjes së totalit minimal prej 5 votash, shton mundësinë e zgjedhjes me short të titullarit të ketij institucioni.
Gara mes tre kandidatëve femra për drejtimin e Gjykatës Kushtetuese duket se do ta çojë procedurën e zgjedhjes së titullares së re në shortin me gogla.
Javën e kaluar Kushtetuesja regjistroi dy raunde të dështuara të zgjedhjes me votë të kryetarit të ri. Në përballjen e parë mes kandidateve, Fiona Papajorgji, Marjana Semini dhe Holta Zaçaj, asnjëra prej tyre nuk mundi të marrë 5 vota, që është numri minimal i kërkuar nga ligji për zgjedhjen e kryetarit.
Raundi i dytë i votimit, i mbajtur të premten, nuk dha rezultat, madje, votat u ndanë në mënyrë të barabartë.
Për këtë shkak, Mbledhja e Gjyqtarëve të Kushtetueses caktoi 20 shkurtin për një raund të tretë votimi, mundësia e fundit që ligji jep për zgjedhjen e kreut të ri përmes votimit të fshehtë.
Referuar ligjit “për organizimin dhe funksionimin e Kushtetueses”, në këtë raund garojnë 2 kandidatët me më shumë vota, por barazia në vota do ta bëjë edhe këtë përballje me tre kandidatë.
Nëse balancat e votimit të fshehtë, nuk do t’i sigurojnë as në këtë raund të paktën 5 vota një prej kandidatëve, atëherë parashikimi final ligjor për zgjedhjen e kreut të Kushtetueses është shorti me gogla.
Gjykata Kushtetuese u plotësua me 9 anëtarët e saj me mandat të plotë më 16 janar, me emërimin e anëtares Holta Zaçaj, e cila pasoi në detyrë ish-kryetaren Vitore Tusha. (A2 Televizion)