
Presidenti Aleksander Vucic ka zyrtarizuar mos praninë e tij në Samitin e BE me Ballkanin Perëndimor e 6 dhjetorit në Tiranë.
Sipas ambasadorit Arben Çejku, i ftuar në “Debat”, presidenti serb “jo vetëm ka zyrtarizuar anulimin e vizitës por ka përdorur edhe një fjalor ordiner ndaj kryeministrit të Kosovës Albin Kurti. Vucic nuk vjen sepse në Tiranë në prani të liderëve europianë sepse presioni ndaj tij do të ishte tepër i fortë, nuk ka asnjë arsyeje tjetër”.
Sipas Çejkut, “Vucic mori çfarë deshi nga tërheqja taktike e Kurtit për targat, por i gjendur ballë përballë me projektin franko-gjerman, ai dëshiron të duket sërish si viktimë. Kjo tolerancë ndaj Serbisë ka qenë gjithmonë për ta patur Serbinë pjesë të Europës, dhe larg Moskës”.
Profesor Lisen Bashkurti mbi tolerancën europiane ndaj Serbisë shton se “ka patur përkujdesje ndaj Ballkanit, sepse Rusia ka prioritizuar shtete individuale. Serbia nuk është qendra e botës, nuk është qendra e Europës, dhe tashmë nuk quhet më as qendra e Ballkanit. Vucic graviton në hijen e Putinit, dhe kjo do të sjellë pasoja. Nuk mund të thuhet se BE e ka toleruar Serbinë, në fakt ajo e ka rrëzuar hap pas hapi rrugëtimin e Serbisë drejt integrimit.”.
Ambasadori Çejku shton edhe një element tjetër, një tension që vjen edhe nga një përçarje të brendshme të serbëve në Kosovë. “Diçka e ka nervozuar Vucic, përfshirja e serbeve të jugut në qeverinë e Kosovës, ndërkohë që Beogradi ka investuar shumë tek serbet e Veriut, duke lënë në mëshirë të fatit ato të jugut, të cilët kanë pranuar targat e Kosovës. Ndarjen mes serbëve e ka shkaktuar Beogradi në vend të parë”. (A2 Televizion)