Përmbytjet janë pamja e zakonshme, kur Gjirokastra përballet me reshje të dendura shiu. Përrenj që dalin në rrugë, inerte që bllokojnë edhe unazën e qytetit dhe natyrisht lugina e Drinos që përmbytet. Përveç faktit që reshjet bien me intensitet të lartë në një periudhë të shkurtër kohore, një tjetër faktor që ndikon në krijimin e situatave të tilla është edhe mungesa e investimeve të pritave të përrenjve malorë.
Specialisti i bordit të Kullimit në Gjirokastër shprehet se në këto prita nuk ka pasur investime serioze që nga koha e monizmit kur janë ndërtuar. “Të gjitha pritat kanë dalë jashtë funksionit dhe çdo shi që bie, kemi përmbytje. Jo vetëm kaq, kjo dëmton përcjelljen e prurjeve në të gjithë luginën e Drinos”, thotë Niko Lici, inxhinier Bordi i Kullimit, Gjirokastër.

Sipas tij, pushteti lokal duhet ta marrë seriozisht këtë problematike dhe në kushtet kur investimet tejkalojnë mundësitë e pushtetit lokal duhet të kërkohen investime nga qeveria. “Duhet një studim i mirëfilltë, pasi duhet investim i konsiderueshëm, nga buxheti i shtetit”, thotë Lici.
Ndërhyrjet, momentale të lirimit të rrugëve nga inertet, për inxhinierin nuk janë zgjidhje e problematikës, e cila nëse nuk trajtohet si duhet, në të ardhmen pritet të shkaktojë më shumë dëme. (A2 Televizion)