
Me mbajtjen e Konferencës Ndërqeveritare, Shqipëria ka bërë një hap më tej në integrimin në BE, dhe si pasoje kjo do të reflektohet me financime edhe më konkrete nga Brukseli.
Ky është mendimi i Hubert Perr, shef i Bashkëpunimit të Delegacionit të BE-së në Tiranë, i intervistuar nga A2 CNN, i cili dha disa hollësi mbi asistencën dhe mbështetjen konkrete ndaj vendit tonë.
“Ne jemi vërtetë donatori më i madh këtu, dhe kjo nuk dihet nga të gjithë. Përgëzoj Shqipërinë për pritjen e Samitit BE-Ballkani Perëndimor, ishte hera e parë që krerët e BE-së mblidheshin në një vend jashtë Bashkimit Europian. Mendoj se kjo tregon rëndësinë që ka Ballkani Perëndimor për BE-në”, shpjegon Parr.
Sipas tij, “ka patur marrëveshje konkrete, duke filluar nga tarifat roaming që do të ulen duke nisur nga viti 2023, programe që do të mundësojë krijimin nga universitetet europiane të kampuseve të tyre këtu, ku studentët do të kenë mundësi të diplomohen pa lënë vendin. Paketa e energjisë, ka vënë në dispozicion 1 miliardë euro për rajonin, 500 milionë për mbështetje të menjëhershme, që do të ndihmojë qeverinë për të siguruar që çmimet të mbeten të përballueshme për banesat dhe sipërmarrjet e vogla, mbështetja e fashave të rrezikuara dhe përshpejtimi drejt energjisë së pastër. Shqipëria do të përfitojë 80 milionë euro grant”.
Por cilat janë përparësitë kyçe të BE-së ndaj Shqipërisë? “ Me mbajtjen e Konferencës së parë Ndërqeveritare, Shqipëria ka kaluar në një fazë tjetër integrimi. Thelbi i ndihmës tonë ka të bëj me drejtësinë, shtetin ligjor, luftën kundër korrupsionit dhe pastrimin e parave, mbështesim administratën publike dhe reformat e saj. Por do të ketë programe si ajo BE për Natyrën, do të ndërtojmë stacione riciklimi në Kukës dhe Gjirokastër, do të krijojmë vende pune për të rinjtë në sektorin e digjitalizimit”, shton Perr.
Projektet e BE-së shpesh herë janë akuzuar për një vështirësi për sa i përket procedurave. “Transparenca e këtyre fondeve, që vijnë nga taksapaguesit europianë, është shumë e rëndësishme, procedurat mund të jenë të komplikuara, por kjo do të thotë se duam të ndjekim praktikat më të mira Ka pika që mund të përmirësojmë së bashku, sepse jemi në partneritet. Ne ofrojmë asistencë, por duam që projektet të çohen përpara nga përfituesit, qoftë pushteti vendor, shoqëria civile, sektori privat, qoftë qeveria”, deklaroi zyrtari i BE-së në Tiranë. (A2 Televizion)