
Këshilli i Lartë i Prokurorisë pranoi sot kërkesën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për shkarkimin nga detyra të prokurorit të Pogradecit, Shkëlqim Kokona, për “shkelje të rënda profesionale, që diskreditojnë pozitën dhe figurën e prokurorit”.
KLP njoftoi se hetimi disiplinor ndaj magjistratit nisi pas një informacioni të Prokurorit të Përgjithshëm për shkelje procedurale gjatë veprimtarisë hetimore, përfaqësimit të ndjekjes penale në gjykim, si dhe për shkelje të normave etike.
“Nga hetimi disiplinor i kryer nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë mbi veprimtarinë hetimore të magjistratit në periudhën 2018-2021 u provua se magjistrati ka sjellje të përsëritur refuzuese në mosmarrjen në dorëzim të dosjeve; ka mospjesëmarrje të përsëritur në seanca gjyqësore; ka kryer përfundim të çështjeve me vendim si prokuror, pa proceduar me kalimin e tyre me kërkesë në gjykatë dhe mosnxjerrje të urdhrave për ekzekutimin e vendimeve gjyqësore të dënimit me burgim. Hetimi disiplinor i ILD provoi se nga ana e magjistratit SH.K., ka pasur shkelje të përsëritur dhe të rëndë të rregullave të solemnitetit, rregullave të mirësjelljes në marrëdhëniet me palët, me drejtuesit e prokurorisë, me gjyqtarët, me oficerë të policisë gjyqësore, si dhe me personelin e administratës së prokurorisë dhe të gjykatës. Sjelljet e magjistratit kanë sjellë shkelje të rënda profesionale, diskreditim të pozitës dhe figurës së prokurorit, si dhe kanë cenuar besimin e publikut te drejtësia”, tha KLP në një njoftim për mediat. (A2 Televizion)