Sipas vendimit të Bordit, benzina do të tregtohet maksimalisht me 206 lekë për litër, nafta me 203 lekë dhe gazi me 93 lekë. Ky është niveli më i ulët i regjistruar gjatë muajit mars, pas kulmit prej 290 lekësh për litër të prekur një javë më parë. Por eksperti për ekonominë, Klodian Muço, e sheh praninë e një strukture si Bordi i Karburantit si të panevojshme. Kjo për shkak se në vendimet e tij për çmimet, thjesht ka reflektuar ecurinë e bursave ndërkombëtare, madje duke kërkuar një tavan edhe më të lartë. Muço i sheh taksat mbi karburantin si një faktor kryesor ku duhet të ndërhyjë qeveria. Ai propozon reduktimin e TVSH-së, si një masë që do të ulte menjëherë çmimin, pa shkaktuar humbje në buxhet. Sipas ekspertit tregu i hidrokarbureve vuan gjithashtu nga informaliteti i lartë, pasi sipas tij nuk është e mundur që Kosova të importojë më shumë naftë se sa Shqipëria, kur ka një numër banorësh ndjeshëm më të ulët dhe nuk pret flukse turistësh sa vendi ynë. (A2 Televizion)
Nafta fiksohet në 203 lekë, për qytetarët ende e shtrenjtë, për ekspertët reflekton bursën
