Dorjan Teliti, anëtar i Kryesisë së Partisë Demokratike, u shpreh se ulja e çmimit të naftës në pompë është “thjesht rishpërndarje”.
“Kjo pjesa e karburantit shitet si një arritje e madhe. Ajo është një rishpërndarje. Nga kjo skema e re që hiqet taksa e qarkullimit, por rritet taksa fikse e makinës, do të thotë që një pjesë e popullatës që bën shumë kilometra, do ketë kosto më të ulëta vjetore në total. Pjesa e popullatës që bën pak kilometra, më pak se mesatarja, do ketë kosto të rritura. Pra, e thënë ndryshe, ai që shkon nga Tirana deri në Durrës do fitojë nga kjo skemë. Ai që do marrë makinën në mëngjes për të çuar fëmijët në shkollë dhe e parkon prapë, do humbasë nga kjo skemë. Edhe vetë qeveria thotë se do marrë më pak të ardhura se do heqë taksën e qarkullimit, por këto të ardhura do t'i kompensojë te taksa e makinës. Në total, mesatarisht, popullata shqiptare dhe bizneset shqiptare do paguajnë po të njëjtat lekë. Thjesht do paguajnë ndryshe nga ç'paguajnë sot. Njëri do paguajë më pak, tjetri do paguajë më shumë. Por, të gjithë në fund fare jemi konsumatorë. Ai që do paguajë më pak, do blejë më tepër bukë, djathë e mish. Ai tjetri që do paguajë më shumë, do blejë më pak bukë, djathë e mish. Pra, në ekonomi nuk ka ndodhur gjë. Thjesht një rishpërndarje brenda për brenda. Godit njërën palë, lehtëso palën tjetër. Kaq. I vetmi që nuk preket është shteti. Shteti nuk heq dorë nga të vetat”, tha Teliti në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN.
Më tej, kritikoi edhe paketën e re fiskale.
“Po të shohësh atë paketë fiskale që ka ardhur, i vihet barrë në kurriz biznesit të vogël, barrë në kurriz biznesit të madh, barrë konsumatorëve dhe në fund fare të gjithë këta bashkë do paguajnë 200 milionë euro shtesë. I vetmi që nuk heq dorë është shteti. Shteti nuk heq dorë as nga llukset, as nga tenderat pa garë, nuk heq dorë as nga abuzimi, nuk heq dorë nga asgjë. Nuk rregullon asnjë segment të tregut, nuk rregullon as segmentin e sigurisë ushqimore, as segmentin e konkurrencës së lirë dhe të ndershme në treg, as të sigurisë së produkteve, asgjë, theksoi Teliti. (A2 Televizion)