“Pensionistët shkojnë e blejnë bukën e ftohtë!”, Teliti debat me Ekonomin: Hanë një herë në vit

Nga A2 CNN
10 Nëntor 2026, 21:56 | Politikë

Është shoqëruar me debate mes deputetes së PS-së Milva Ekonomi dhe anëtarit të kryesisë së PD-së Dorian Teliti, diskutimi për buxhetin dhe pensionet në studion e Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN. Për përfaqësuesin e opozitës dyfishimi i fonvdeve për pensionet është mashtrim i qeverisë.

“Fondi total i pensioneve është 2 miliardë euro. Këto 2 miliardë euro shtesë ku janë? Se s'po i shoh asgjëkundi. Këtë vit bonus plus indeksim është 240 milionë. Vitin që vjen sipas parashikimit tuaj është 340 milionë euro. Pas dy vitesh në 2029 thoni ju 440 milionë euro. Ndërkohë të duhen 2 miliardë, të duhen pesë herë më tepër. Jeni pesë herë më tepër në mashtrim sesa realiteti”, i tha Teliti deputetes socialiste.

Ai akuzoi qeverinë që po i vjedh shqiptarët  dhe po i rrit koston e jetesës, ndërsa pensionistët i ka lënë në varfëri. Teliti theksoi se këta të fundit e blejnë bukën e një dite më parë me gjysmë çmimi se nuk e përballojnë dot.

“Pensionistin e keni në zgrip, e keni parë pensionisti kur shkojnë blejnë gjysmë kg djathtë nga ai 4 mijë lëkëshi, më i lodhuri fare, blejnë bukën e djeshme, bukën e ftohtë, atë që është me gjysmë çmimi. Po të ishin kaq mirë shqiptarët, nuk do kishe nevojë të ulje TVSH-në. Ju  po i zgrapni. Ju i keni zgrapur shqiptarët. Po i hiqni vetëm TVSH-në. Po ulni TVSH-në për 54 produkte, që s'ka për të pasur dhe ajo fatkeqësisht efekt, se ke konkurrencë të pandershme në treg. Ke importues dhe në anë tjetër po i rrisni çdo kosto tjetër jetesës. Po rritet karburanti, po rritet energjia, po rritet uji”, deklaroi Teliti.

Përkundër këtyre deklaratave, deputetja socialiste tha se mbrojti politikat e qeverisë për rritjen ekonomike dhe theksoi se pensionet po rriten çdo muaj, indeksohen dhe plotësohen me bonuse.

“Kjo gjë bëhet sepse ke një performancë më të mirë të ekonomisë, e ke rritjen ekonomike të mirë e ke edhe borxhin të menaxhuar i ke dhe investime të huaja direkte prezente. Ti e shikon gotën gjysmë  bosh. Unë e shikoj gotën gjysmë plotë. Dhe këtu na ndryshon këndvështrimi. Reforma e pensioneve pati indeksimin dhe pati bonusin në fund të vitit. Këtë vit nga të ardhurat e fituara më shumë nga akciza e naftës dhe çmimet e naftës të rritura në bursën ndërkombëtare, e ardhura që u fitua ju nda pensioniste në bonus pranvere. Ndërkohë vazhdon rritja mujore e pensioneve dhe vazhdon indeksimi dhe po kjo politikë do të jetë dhe është premtuar që në vitin 2029 ti do kesh pensionin mesatar të plotë qytetar 400 mijë lekë të vjetra”, u përgjigj Ekonomi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos