Milva Ekonomi, deputete e Partisë Socialiste, shpjegoi se çfarë është taksa vinjeta për automjetet.
“Nuk është tamam vinjeta, është taksa e përdorimit të mjetit. Se vinjeta është taksa e përdorimit të rrugës. Tek taksat në Shqipëri është një gjë e kombinuar, mjeti dhe rruga, se taksë vinjeta paguan vetëm makina elektrike. Makinat e tjera paguajnë taksë për qarkullimin, që ka të bëjë me vjetërsinë dhe ka të bëjë me fuqinë motorrike. Sipas makinës që ka një qytetar, sa cilindratë e ka dhe se çfarë viti përdorimi e ka. Gjithashtu, di dhe se sa kilometra në vit bën dhe duke nisur nga kjo, e ka idenë se sa konsumon karburant. Qytetari duhet të shikojë sa i zbret nga konsumi i karburantit dhe sa do të shtojë pagesë për vjetërsinë e mjetit. Pastaj, të bëjë analizën e këtyre të dyjave. Në përgjithësi, analiza për këto çështje është një analizë që vjen në ndihmë të pagesës që bën qytetari”, tha Ekonomi në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN.
“Ai që ka makinë elektrike do paguajë 150 mijë lekë të vjetra për vinjetën, ndërsa ai që ka makinë me karburant do paguajë për vjetërsinë e mjetit”, shtoi deputetja socialiste.
Në lidhje me koston e transportit publik, Ekonomi theksoi: “Do të kemi një takim me Shoqatën e Transportit Urban dhe Ndërqytetas. Është çështje në diskutim. Duke u ulur çmimi i karburantit dhe duke u rritur çmimi i mjetit, barra fiskale për mjetin është më e ulët sesa një vit më parë dhe kjo duhet të reflektojë në çmimin e biletës. Se si do të reflektohet, është diçka që po diskutohet”.
(A2 Televizion)