
Protesta e naftëtarëve të uzinës së përpunimit të naftës në Ballsh, pritet të zhvendoset në Tiranë.
Gjatë tubimit të radhës të mbajtur paraditen e kësaj të marte në dyert e rafinerisë, përfaqësuesit e Sindikatës së Naftëtarëve njoftuan se përgjigjen për shqetësimet që ata kanë, pagat e prapambetura dhe rifillimin e punës, mund t’i marrin vetëm nga Ministria e Energjetikës.
Ndërkohë, kreu i Sindikatës së Naftëtarëve, u shpreh për mikrofonin e A2, se problematika e tyre është e paprecedentë në asnjë vend tjetër, kur edhe pse ligjërisht u është dhënë e drejta, faktikisht askush nuk u jep atë që u takon.
Përpjekjet e naftëtarëve për të përfituar pagat e prapambetura dhe rifillimin e punës kanë nisur që vitin e kaluar, me protesta e greva urie, duke ezauruar të gjitha mjetet demokratike për të drejtën e tyre. (A2 Televizion)