
Dy biletat e para për në gjysmëfinalen e Champions League do të shpërndahen sot në mbrëmje. Milan apo Napoli vetëm një prej këtyre dy gjigantëve të futbollit italian do të kalojë në turin tjetër të Ligës së Kampionëve.
Kuqezinjtë kanë avantazhin e fitores minimale në “San Siro”, megjithatë një gol nuk i jep aspak siguri skuadrës së Piolit që duhet të bëjë detyrën dhe në Napoli për t’u kualifikuar më tej.
Lajmi i mirë për ekipin nga Milano është se do të luajë në fushë me formacionin më të mirë, pasi infermieria kuqezi është boshatisur ndërkohë vendasit kanë rikuperuar yllin e skuadrës, Viktor Osimhen, edhe pse akoma nuk dihet nëse do ta nisë sfidën që nga minuta e parë.
Mungesa të sigurta për Spalletin janë Kim dhe Anguissa, të dy lojtarë të skualifikuar.
Mbrëmja e së martës premton spektakël, Napoli kërkon të shkruajë historinë në stadiumin “Diego Armando Maradona” dhe për herë të parë të kualifikohet në gjysmëfinale e Champions League. Ndërkohë Milani i Piolit e sheh aventurën europiane si të vetmen mënyrë për të shpëtuar sezonin.
Në takimin tjetër, Real Madrid është vetëm një hap larg kualifikimit, pasi duelin e parë me Chelsea e fitoi 2-0.
Spanjollët një nga favoritët për të fituar dhe trofeun në fund luajnë me Blutë e Londrës që po kalojnë një nga periudhat më të errëta në historinë e tyre. Të pozicionuar në mesin e tabelës në Premier League dhe me asnjë fitore në 5 ndeshjet e fundit, londinezët do të bëjnë gjithçka vetëm për të fituar.
Sa i përket mungesave, tek Chelsea janë të zakonshmit, Broja, Kulibali dhe Chillwell që është i skualifikuar. Ndërsa Reali do të rreshtohet me formacionin më të mirë. (A2 Televizion)