Kanë vijuar për të tretën mbrëmje radhazi protestat në disa qytete të Francës pas vrasjes së një adoleshenti nga ana e policisë, teksa nuk iu bind një urdhri për të ndaluar makinën.
Protesta e mbrëmshme ishte edhe më e madhe dhe më e dhunshme ku në disa raste u rrezikua dhe jeta e banorëve të thjeshtë.
Në Naterres, manifestuesit i printe nëna e 17-vjeçarit Nahel e cila kërkonte drejtësi për djalin e saj.
Autoritetet u angazhuan për të përballuar çdo situatë të mundshme. Më shumë se 40 mijë policë u dislokuan në rrugë, teksa transporti publik u pezullua pas orës 21:00. Në rrethinat e Parisit u vendos dhe gjendja e shtetrrethimit.
















Në Nanterre një bankë u dogj teksa flakët kërcënuan shtëpitë pranë. Në Marsejë pati përleshje mes protestuesve dhe policisë në Portin e Vjetër, i evakuuar nga policia. Në Lyon, ku u dogj një ndërtesë në distriktin Villeurbanne, u dërgua një helikopter nga RAID, njësia speciale kundër trazirave.
Trazira gjithashtu u regjistruan në qendër të Parisit, ku të paktën njëqind njerëz me fytyrën e mbuluar plaçkitën dyqanet e qendrës tregtare Les Halles. Sipas Le Figaro, e cila citon burime zyrtare, më shumë se 255 persona u arrestuan në të gjithë vendin gjatë natës.
Por situata nuk është e destinuar të përmirësohet. Në netët e ardhshme pritet një përhapje e dhunës, ku objektiv mund të jenë dhe forcat e policisë.
Oficeri i policisë që qëlloi dhe vrau Nahelin, aktualisht ndodhet në burg. Ai akuzohet për shpërdorim detyre dhe vrasje me dashje.
Prokuroria nuk konstatoi se ishin plotësuar kushtet ligjore për përdorimin e armëve të zjarrit nga polici dhe për këtë kërkoi arrestimin e tij. (A2 Televizion)