Shuhet në Shkup ëndrra e Kosovës për një pjesëmarrje historike në fazën e grupeve të kampionatit europian të futbollit.
Ekipi i drejtuar nga zvicerani Shaland u mund me rezultatin 2-1 në derbin ballkanas me Maqedoninë e Veriut, në ndeshjen unike e vlefshme për fazën play-off të Nations League.
Në një stadium të boshatisur dhe pa ngrohtësinë e publikut, Maqedonia tregoi superioritet që në minutat e para, ndaj ekipit “dardan” të cilit i mungonin disa nga lojtarët më të mirë, si Vedat Muriqi, Milot Rashica, dhe Amir Rrahmani.
Maqedonasit kaluan në avantazh gjithsesi nga një episod i pafat në minutën e 16-të, ku një deviacion i Kolollit në zonën e rreptësisë drejton topin në rrjetë.
Kosovarët reagojnë mirë, dhe përfitojnë në të 29-ën nga një gabim të portierit maqedonas Dimitrievski, që i dhuron topin Hadërgjonajt i cili barazon me një harkim perfekt .
Por pak minuta më vonë ('33) një krosim i shqiptarit të Maqedonisë së Veriut, Enis Bardhi, u konkretizua nga Velkovski që fiksoi rezultatin.
Në pjesën e dytë maqedonasit kanë raste të shumta, veçanërisht me veteranin Pandev, të cilat shpëtohen nga portieri kosovar Muric, por janë sërish kosovarët që kanë rastin më të mirë me Fidan Halitin në sekondat e fundit, me lojtarin që nuk shtyn topin nga pak centimetra.
Maqedonia do të përballet me Gjeorgjinë në nëntor, ku fituesja do të sigurojë një vend në grupet e kampionatit të ardhshëm europian. (A2 Televizion)