Eduardo Camavinga ka shënuar një gol spektakolar në ndeshjen e tij të parë si titullar me Francën, në fitoren e djeshme 7-1 ndaj Ukrainës. Me këtë gol, lojtari që është 17 vjeç e 11 muaj, është bërë futbollisti më i ri që ka shënuar për Francën në 100 vitet e fundit. Rekordin e mban Maurice Gastiger, i cili para 106 vitesh ka shënuar ndaj Zvicrës në moshën 17 vjeç e 5 muaj.
I lindur në Angola, Camavinga u zhvendos në Francë kur ishte vetëm 2 vjeç. Ai ka nënshkruar kontratën e parë profesionale me Rennes në vitin 2018 dhe është i lidhur me këtë klub deri në vitin 2022.
Në moshën 16-vjeçare, ai ishte titullar te ky ekip dhe paraqitjet e tij të mira kanë tërhequr vëmendjen e klubeve më të mëdha evropiane.
Në sezonin e tij të parë të plotë me Rennes, Camavinga ndihmoi ekipin që të kualifikohej për herë të parë në histori në grupet e Champions League. Në sezonin aktual, Rennes kryeson renditjen e kampionatit francez pas 6 ndeshjesh dhe nuk njeh ende humbje. (A2 Televizion)