NATO: Mund të na duhet të rrisim numrin e forcave në kufirin lindor

Nga A2 CNN
15 Mars 2022, 15:56 | Bota
NATO: Mund të na duhet të rrisim numrin e forcave në kufirin

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, thotë se pushtimi i Ukrainës nga Rusia ka krijuar një realitet të ri për sigurinë në Europë. Ai thotë se NATO duhet të jetë gati për këtë realitet.

Të mërkurën, udhëheqësit e vendeve të aleancës do të diskutojnë për masat konkrete që do të marrin për forcimin e sigurisë në periudhë afatgjatë.

Në to përfshihet “shtimi i forcave” në pjesën lindore të NATO-s, duke rritur edhe gatishmërinë. “Gjithashtu do të vlerësojmë për të shtuar edhe dislokimet e forcave ajrore dhe detare, si dhe forcimin e sistemve raketore dhe atyre kibernetike”, tha Stoltenberg në konferencë për mediat.

https://a2news.com/2022/03/15/stervitja-me-e-madhe-e-nato-s-ne-30-vitet-e-fundit-200-km-larg-kufirit-rus/

I pyetur nga një gazetare ukrainase nëse NATO do të ndërhyjë në vendin e saj, Stoltenberg shtoi: “Përgjegjësia jonë është të mbrojmë vendet brenda aleancës. Po dërgojmë një mesazh të qartë, se jemi gati ta bëjmë këtë”.

Ai tha gjithashtu se ushtria e Ukrainës sot është “më e madhe, më e fortë, më e mirëpajisur dhe më e mirëtrajnuar sesa në vitin 2014”, kur Rusia aneksoi Krimenë dhe nxiti separatistët në lindje të vendit.

NATO po organizon në Norvegji stërvitjen më të madhe ushtarake në 30 vitet e fundit. NATO thotë se stërvitja nuk ka lidhje me pushtimin e Ukrainës nga Rusia, pasi ishte programuar për vitin e kaluar, por u shty për shkak të pandemisë. Madje aleanca kishte ftuar edhe vëzhgues nga Rusia për të ndjekur stërvitjen, por Moska refuzoi. Në stërvitjen e quajtur “Përgjigja e Ftohtë” marrin pjesë 30 mijë trupa, 50 anije luftarake dhe 200 avionë luftarakë. Ajo po zhvillohet 200 kilometra larg kufirit me Rusinë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos