Protesta në televizionin rus, arrestohet redaktorja

Nga A2 CNN
15 Mars 2022, 11:56 | Bota
Protesta në televizionin rus, arrestohet redaktorja

E kanë pagëzuar si gruan më të guximshme në Rusi. “Ndaleni luftën”, ka thërritur redaktorja Marina Ovsyannikova ndërsa televizoni rus, Kanali 1, po transmetonte lajmet e mbrëmjes.

Ajo u shfaq pas spikeres, me një mesazh që lexohej qartë: “Jo luftës, ndaleni luftën, mos e besoni propagandën. Ata po ju gënjejnë”. Nuk vonoi para se transmetimi të ndërpritej për të kaluar te një material i regjistruar.

Televizioni është nën kontrollin e rreptë të Kremlinit dhe reflekton vetëm versionin rus të ngjarjeve në Ukrainë. Veprimi heroik kundër luftës u vlerësua anekënd botës.

https://a2news.com/2022/03/14/protestuesja-e-guximshme-nxjerr-parullen-kunder-luftes-ne-televizionin-rus/

Ned Price, zëdhënës i DASH, u shpreh: “Shumë njerëz të guximshëm në Rusi e kundërshtojnë luftën e pajustifikuar të Kremlimit, pavarësisht shtypjes së paprecedentë të zërave disidentë”. 

Edhe presidenti ukrainas e vlerësoi guximin e 43-vjeçares për të denoncuar luftën: “U jam mirënjohës atrye rusëve që nuk ndalen në përpjekjen për të thënë të vërtetën. Veçanërisht gruas që hyri në studion e Kanalit 1 dhe protestoi kundër luftës”.

Por, tani ka shqetësime për fatin e protestueses, e cila, siç thuhet, është zhdukur pas ndalimit nga policia. Avokatët thonë se nuk e kanë idenë se ku po mbahet ajo dhe se nuk janë lejuar ta takojnë. 43-vjeçarja mund të dënohet deri në 15 vite burg, mbi bazën e një ligji të ri që e ka bërë të paligjshme cilësimin e operacionit ushtarak si një pushtim, apo përhapjen e lajmeve të rreme lidhur me të.

Para protestës në televizion, gruaja regjistroi një video ku thoshte se ngjarjet në Ukrainë janë një krim dhe shprehej e turpëruar që punonte për propagandën e Kremlinit.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos