Ndahen çmimet SAG triumfon drama "Coda", Chastain dhe Smith aktorët më të mirë

Nga A2 CNN
28 Shkurt 2022, 10:52 | Showbiz

Drama "Coda," arriti të triumfojë në ceremoninë e çmimeve SAG Awards, duke rritur edhe më shumë shanset për sukses drejt ceremonisë së çmimeve Oskar në mars.

Filmi flet për historinë e një vajze nga një qytet i vogël, që realizon ëndrrën e saj, atë për t’u bërë një këngëtare. Filmi u realizua me regji të Sian Heder dhe kastin e aktorëve të shurdhër Marlee Matlin e Troy Kotsur, si prindërit e performueses së re, të luajtur nga Emilia Jones.

Kostur fitoi çmimin e aktorit më të mirë mashkull joprotagonist.  Çmimet SAG, “Screen aktors Guild”, të organizuar për të 28 vit në radhë, ndiqen me kujdes sepse aktorët dhe filmat që garojnë, janë vetëm një hap larg çmimeve Oscar.

Zakonisht, por jo gjithmonë, kush triumfon në çmimet SAG, feston më pas edhe një çmim Oskar, që këtë vit ndahen më 27 mars. Në garë, bashkë me “Coda” ishin edhe prodhimet më të përfolura të këtij fillimviti në Hollivud si “Belfast”, “Don’t look Up”, “King Richard” dhe "House of Gucci,".

Jessica Chastain fitoi çmimin e aktores më të mirë femër për rolin e saj në filmin "The Eyes of Tammy Faye", ndërsa Will Smith u vlerësua si aktori më i mirë mashkull për filmin “King Richard”.

Helen Mirren u nderua me çmimin e arritjeve në karrierë. "Succession" dhe "TedLasso" rrëmbyen çmimin e televizioneve, e para për serialin më të mirë dramatik dhe e dyta si komedia më e mirë. Lufta në Ukrainë nuk kaloi pa vëmendje, me aktorët që përcollën mesazhe paqeje dhe lutjeje për popullin ukrainas   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos