
Ministria e Arsimit ka marrë vendimin për t’i hequr licencën kopshtit “Flatrat e Dijes” në Fier, ku ndërroi jetë rreth një muaj më parë një fëmijë 3 vjeç.
Bëhet e ditur se ky vendim është marr për shkak të konstatimit të shkeljeve të rënda, për mosplotësim të kushteve të licencimit.
Fëmija 3-vjeçar ndërroi jetë më 7 janar, ndërsa dyshohej se kishte gëlltitur një send të fortë dhe më pas është mbytur. Ai kishte hematoma në qafë, të cilat dyshohet se u shkaktuan si pasojë e përpjekjes për ta shpëtuar.
Për këtë rast, vetëm një ditë më pas, u arrestua edukatorja e kopshtit, 27-vjeçarja me inicialet R.B., e cila kishte përgjegjësi për të pasur nën mbikëqyrje fëmijën.
Sipas relacionit të grupit të punës janë gjetur këto shkelje:
1- Nuk ka drejtues Didaktik.
2- Ka regjistruar fëmijë të moshës nën 3 vjeç, në kundërshtim me ligjin.
3- Personeli mësimdhënës nuk plotëson kriteret e parashikuara në ligjin 69/2012 neni 57.
4- Nuk plotëson standardet infrastrukturore.
5- Ka regjistruar dhe pranuar fëmijë mbi numrin e lejuar.
6- Nuk ka përmbushur detyrimet në lidhje me dokumentacionin e nevojshëm, duke përfshirë edhe kontratat me prindërit.
Nisur nga këto shkelje, MAS mori vendimin për mbylljen e veprimtarisë së këtij kopshti dhe revokimin e licencës nga QKB. (A2 Televizion)