Ndërron jetë Karl Lagerfeld, mjeshtri gjerman i modës

Nga A2 CNN
19 Shkurt 2019, 14:38 | Lifestyle

E kishin pagëzuar si zot mes të vdekshmëve në botën e modës, por Karl Lagerfeld u shua në moshën 85 vjeçare në Paris.

Dizenjatori gjerman dhe drejtori artistik i Chanel, ishte një prej personaliteteve më me ndikim në industrinë e modës, i cili punoi deri ditën kur vdiq. Stilisti krijonte gjithashtu edhe për brandin dhe shtëpinë e modës Fendi.

Prej disa javës Lagerfeld nuk ishte në gjendje të mirë shëndetësore dhe kishte munguar në disa shfaqje. Karl Otto Lagerfeldt lindi në vitin 1933 në Gjermaninë e paraluftës.

Ai emigroi në Paris kur ishte adoleshent dhe u bë ndihmës i Pierre Balmain, para se të punonte për Fendi dhe Chloe në vitet 60-të.

Karrierën e tij të gjatë tek Chanel e nisi në vitin 1983, një dekadë pas vdekjes së Coco Chanel. Një vit më vonë krijoi kompaninë e tij.

Me kostumet kryesisht të errëta, flokët e bardhë të mbledhur bisht, syzet me ngjyrë dhe ironinë personazhi i tij ishte i pakrahasueshëm…

 “Jam një karikaturë e vetës dhe më pëlqen”, është një prej batutave më të famshme të tij. 

I pagëzuar si “Kaiser Karl”, apo mjeshtri i modës, Lagerfeld u kujdes për gati gjysmë shekulli të fshihte moshën e vërtetë duke cituar vite të ndryshme lindjeje. Por versioni më i besueshëm është 10 shtatori i vitit 1933. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos