
Ndërron jetë në moshën 78-vjeçare mjeku dhe politikani Sabit Brokaj. Pas një karriere të gjatë në shëndetësi, madje dhe si një prej mjekeve të Enver Hoxhës, Brokaj hyri në politikë pas rënies së diktaturës, nën siglën e Partisë Socialiste.
Ministër i Shëndetësisë në 91-shin, i mbrojtjes në 97-n, kardiologu Sabit Brokaj ka qenë deputet i parlamentit shqiptar për disa legjislatura.
Pas krijimit të LSI-së ai u rendit në krah të Ilir Metës si nënkryetar i partisë. Më pas, në 2015-n u rikthye në Partinë Socialiste si pjesë e Këshillit të të Urtëve. Këto ishin dhe angazhimet e tij të fundit politike, pasi prej vitesh i ishte rikthyer profesionit të mjekut.
Për vdekjen e Sabit Brokaj reaguan dhe disa nga krerët më të lartë të shtetit dhe politikanë dhe të afërm që kishin bashkëpunuar me të.
“Trishtues lajmi për ndarjen nga jeta të Profesor Sabit Brokaj, mjekut dhe intelektualit të shquar, gjithmonë të angazhuar në çështjet kombëtare edhe si deputet e ministër.
Ngushëllimet më të ndjera familjes Brokaj, të afërmve dhe miqve të tij për këtë humbje të pazëvendësueshme që na lëndoi të gjithëve ne që e njohëm nga afër. I paharruar kujtimi i Profesor Sabitit”, shkruan presidenti Meta në rrjetet sociale. (A2 Televizion)