
Kombëtarja shqiptare e futbollit mbylli të hënën përgatitjet në Durrës për të udhëtuar më pas drejt Abu Dabit. Kuqezinjtë luajnë të mërkurën miqësoren me Arabinë Saudite dhe, siç raportohet, dueli nuk do të trasmetohet në asnjë televizion të huaj apo shqiptar.
Kjo për shkak të kërkesës që ka bërë Federata Arabe e Futbollit. Arabia Saudite është një ndër skuadrat e kualifikuara për në Botërorin e Katarit dhe është në një grup me Argjentinën, Meksikën dhe Poloninë. Sipas tyre, takimi me Shqipërinë është tepër i rëndësishëm dhe nuk duan që kjo ndeshje të jetë pikë referimi për rivalët e Botërorit.
Sa i përket grupit të lojtarëve, në seancën e fundit stërvitore tekniku Edy Reja kishte në dispozicion 18 lojtarë, më së shumti nga Kategoria Superiore. Ata u stërvitën me një ngarkesë të lehtë dhe në mbrëmje udhëtuan për në Abu Dhabi. Aty do t’i bashkohen grupit dhe 5 lojtarë të tjerë: bëhet fjalë për Ardit Tolin, Mario Mitajn, Bekim Balajn, Elhan Kastratin dhe Gentian Selmanin.
Një ndeshje që do të vlejë si një test i mirë për kombëtaren dhe veçanërisht për djemtë e Superligës, që grumbullohen për herë të parë në kombëtare. Dueli është i programuar këtë të mërkurë, në orën 16:30, me orën shqiptare. (A2 Televizion)