
Kosova dhe Serbia të nisin negociatat për propozimin franko-gjerman për normalizimin e marrëdhënieve. Ishte kjo kërkesa e zëvendëskryeministres dhe ministres së Jashtme të Sllovenisë, Tanja Fajon, e shprehur gjatë një vizite në Prishtinë. Diplomatja, që u prit nga homologia Donika Gërvalla, foli për rreziqet e sigurisë në Ballkanin Perëndimor dhe nevojën që rajoni të ketë një Kosovë të fortë.
“Shumë shpesh kemi folur për marrëdhëniet për gjendjen në pjesën veriore të Kosovës dhe unë gjithmonë kam thënë që Kosova duhet të përpiqet për normalizimin e marrëdhënieve dhe nuk duhet të ketë përshkallëzim të gjendjes në veri dhe të nisë negociatat në lidhje me propozimin e sponsorizuar të Bashkimit Europian, të cilin e kanë në tavolinë, në lidhje me normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës”, tha Fajon.
Diplomatja sllovene ofroi mbështetje për ambiciet e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Europian dhe Këshillin e Europës, ndërsa uroi qytetarët për liberalizimin e vizave. Nga ana tjetër, Gërvalla shprehu gatishmërinë për finalizimin e dialogut Prishtinë-Beograd dhe adresoi çështjen e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.
“Sa i përket asociacionit, ai i marr vesh në vitin 2015 nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese. Kjo Qeveri e Republikës së Kosovës nuk do të kërkojë rrugica për të implementuar një asociacion, i cili e shkel Kushtetutën e vendit tonë”, tha Gërvalla.
Më tej, ajo foli dhe për kërcënimet me luftë që Serbia i bën rajonit si aleat dhe përfaqësuesi më i afërt i Rusisë në Ballkanin Perëndimor, duke kërkuar një përgjigje të përbashkët lidhur me këtë shqetësim. Ndërkohë, pas konferencës, ministrja e Jashtme sllovene, Tanja Fajon, u takua me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministrin Albin Kurti. (A2 Televizion)