
Kur skuadrat në Europë sapo nisën përgatitjet për sezonin e ri, futbollistët u grumbulluan nga kombëtaret ende pa arritur formën e tyre optimale fizike.
Ky fakt është vënë në dukje edhe nga kapiteni kuqezi Elseid Hysaj në deklaratën për mediat para ndeshjes me Bjellorusinë. Mbrojtësi ka theksuar se forma e tij fizike nuk është e duhura dhe kjo mund të jetë një problem edhe për futbollistët e tjerë. “Forma ime nuk është 100% pasi një javë kam që nisa stërvitjen. Kjo do të jetë problemi jonë, pasi forma fizike nuk është e duhura”, është shprehur Hysaj.
Më tej, shkodrani ka folur edhe për lojtarët e rinj që janë grumbulluar me kombëtaren. “Mendoj se kemi të rinj të talentuar dhe mendoj se mund të ecim shumë me ta. Me të rinjtë po mundohemi t’i fusim në grupin tonë dhe po ju japim një dorë për t’u ambientuar me Kombëtaren. Janë lojtarë të rinj dhe duhet të mësojnë shumë. Janë të rinj dhe e kuptojnë futbollin dhe po futen në grupin tonë”, tha Hysaj. (A2 Televizion)