
Nis sot aventura e përfaqësueses kosovare të futbollit në Ligën e Kombeve që si asnjëherë më parë do të luajë në dy edicione njëkohësisht.
Dardanët nuk kanë mbyllur ende turneun e kaluar për shkak të pandemisë dhe ndodhen në fazën finale ku do të luajnë në muajin tetor shanset e kualifikimit në kampionatin Europian, fillimisht përballë Maqedonisë së Veriut.
Në mbrëmje, skuadra e Bernard Challendes do të sfidojë Moldavinë në takimin e parë të grupeve për edicionin e ri. Për shkak të problemeve me zhvillimin e ndeshjes në shtetin Moldav, sfida është zhvendosur në Parma të Italisë me kërkesë të përfaqësues mike.
Kosova synon fitimin e grupit të tretë në Ligën C ku bëjnë pjesë edhe Greqia e Sllovenia, dy vendet që ndeshen gjithashtu sot me njëri tjetrin.
“Luajmë për fitore ndaj Moldavisë. Është një test i mirë për ndeshjet e radhës”, është shprehur numri një i stolit të Kosovës, Bernard Challandes. Skuadrës iu bashkuan në Parma, 7 futbollistë mes të cilëve portieri Ujkani, Milot Rashica, Herolind Shala apo Hekuran Kryeziu, por për këtë përballje, skuadra do të ketë dy mungesa të rëndësishme si ajo e sulmuesit Vedat Muriqi dhe Edon Zhegrovës. Sa i përket përgjigjeve të testimeve për Covid-19, i gjithë stafi Kosovar rezultoi negative. (A2 Televizion)