
Pasojat që mund të sjellë në Ballkan agresioni Rus në Ukrainë ishte temë e konferencës së sigurisë që u organizua nga Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, në parlamentin Britanik. Pjesë e saj ishin edhe deputetë të këtij parlamenti, të cilët theksuan se si pasojë e agresionin rus është cenuar siguria e Britanisë dhe Europës dhe padyshim që Ballkani sipas tyre është pjesë e këtij kërcënimi.
Ata vunë në dukje se jo vetëm Rusia, por edhe Kina ka qëllime të qarta që bien ndesh me interesat e popujve dhe të ardhmes Europiane të Ballkanit.
Në fjalën e tij, Mediu ngriti shqetësimet për situatën në Ballkan në mënyrë të veçantë për shpenzimet e mëdha ushtarake të Serbisë me mbështetjen e Rusisë dhe Kinës, që sipas tij janë një kërcënim për rajonin.
Sipas tij, moshapja e negociatave nga BE-ja është një zhvillim negativ që do të ketë pasoja në Ballkan. Në këtë tryezë, parlamenti shqiptar veç Mediut u përfaqësua edhe nga Damian Gjiknuri, Dhurata Çupi, Blerina Gjylameti dhe Lavdrim Krashi. (A2 Televizion)