
Ditët e fundit, vëmendje të veçantë në Kampionatin Europian të Futbollit morën dhe veprimet e disa prej yjeve të futbollit në konferencat për shtyp.
Kështu, Cristiano Ronaldo ishte i pari që hoqi shishet e Coca Cola-s nga tavolina e konferencës për shtyp, duke ftuar të gjithë që të konsumojnë më mirë ujë. Veprimi i CR7 kishte pasoja të konsiderueshme për kompaninë e famshme të pijeve duke bërë këtë të fundit që të humbte 4 miliardë dollarë në një ditë të vetme. Kompania nuk e komentoi shumë ngjarjen duke thënë se kushdo ka të drejtë të zgjedhë pijen që dëshiron.
Një ditë më votën, ishte Paul Pogba ai që largoi po ashtu nga një konferencë shishen e birrës Heineken, një tjetër sponsor gjeneral të Euro 2020. Të gjithë e justifikuan këtë qëndrim me faktin se ylli i Francës është një mysliman i devotshëm dhe për të alkooli është i ndaluar.
Por nuk ndalet këtu, mbrëmjen e djeshme ishte Locatelli, i cili në mënyrë demonstrative largoi shishet e Coca Cola-s. Tashmë për shumë kjo nuk është një rastësi. Komente të shumta kanë shpërthyer online duke hedhur dyshimin se kjo tashmë është një fushatë kundër kompanisë së suksesshme të pijeve dhe se asgjë nuk bëhet pa dashje. (A2 Televizion)