Ndotja, propozohet një sistem inventari për gazet me efekt serrë

Nga A2 CNN
26 Dhjetor 2022, 17:19 | Aktualitet
Ndotja, propozohet një sistem inventari për gazet me efekt serrë

Shqipëria ka probleme të theksuara me monitorimin dhe raportimin e ndotjes në mjedis, ndaj për zgjidhjen e kësaj problematike të trashëguar, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit sugjeron ngritjen e Sistemit të Inventarit Kombëtar të gazeve me efekt serrë. 

Françeska Korançe, pedagoge dhe eksperte mjedisi, thotë për A2 CNN: “Më saktë, ky është një aplikim i konventës së firmosur në Paris në vitin 2015, e cila lidhet me ndryshmet klimatike dhe efektet serrë”.

Sipas dokumentit të hedhur për konsultim publik, njësia e re do të monitorojë sektorët që kontribuojnë më së shumti në ndotjen e mjedisit si energjia me proceset industriale, bujqësia dhe përdorimi i tokës, mbetjet apo tretësit organikë.

Dy emetuesit më të mëdhenj, që janë Co2 dhe gazi i metanit, vijnë kryesisht nga këta sektorë. Nafta ka edhe peshën më të madhe.

Në fundin e marsit të çdo viti, gjetjet e mbledhura nga monitorimi i ndotjes do t’i raportohen Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, ndërsa kjo e fundit institucioneve ndërkombëtare.

“Ky ligj na jep një mjet matës të ndotjes. Do të bëhet një inventarizim. Gjetjet do t’i transmetohen më pas Konventës së Parisit”, tregon Korançe.

Monitorimi i shkarkimeve të gazeve me efekt serrë është një detyrim që lind edhe nga strategjia “Për ndryshimet klimatike”, që u miratua pak kohë më parë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos