
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në mbledhjen e grupit parlamentar, deklaroi se raporti i Komisionit Europian “i ka bërë një radiografi të pamëshirë narkoregjimit të Edi Ramës”.
“Unë dua të përshëndes të gjithë ata zyrtarë për përgjegjësinë që kanë treguar në shkrimin e atij raporti. Në fakt, raporti ka të gjitha tezat tona, përveç njërës, për të cilën do punojmë shumë që ta realizojmë, mbi gjendjen në Shqipëri. Raporti i Komisionit Europian thotë se problemi madhor i Shqipërisë është mënyra se si qeveria i përdor institucionet për përfitime politike dhe ekonomike. Ky raport është një aktakuzë ndaj qeverisjes aktuale ku theksohet se zgjedhjet janë të deformuara. Ndonëse KE nuk është një komision i specializuar për zgjedhjet, por ai merr të mirëfilltë ato që institucionet e besimit të mirë shkruajnë, dhe thotë se zgjedhjet ishin të deformuara. Thotë se korrupsioni lulëzon. Thotë se kontrolli parlamentar mbi qeverisjen ka degraduar. Thotë se sistemi gjyqësor është në kolaps. Thotë se krimi i organizuar është tejet i fuqishëm. Thotë se media është tërësisht e kontrolluar dhe e sulmuar. Thotë se administrata është e politizuar dhe fondet publike keqmenaxhohen. I kanë bërë një radiografi të pamëshirë narkoregjimit të Edi Ramës”, deklaroi Berisha, shkruan A2.
“Unë e di se ndonjëri mund të thotë që ambasadori foli për shkëlqim, të tjerë në komision thanë të njëjtën gjë, unë u garantoj ju se në asnjë rresht, në asnjë fjalë nuk përdoret fjala shkëlqim, fjala e jashtëzakonshme, asnjë nga këta cilësorë nuk ekziston në raportin e Komisionit Europian. Që të gjitha janë shpikje pasionante të individëve të caktuar që kërkojnë t’u dezinformojnë ju, t’u fshehin të vërtetat që përmban raporti. Ky është raporti. Nuk thotë askund progres i shkëlqyer. Në asnjë rresht. Prandaj mos dëgjoni se këto deklarata i shëmbëllejnë deklaratave të Donald Lu që thoshte në kulmin e kanabizimit të vendit se përgëzoj policinë për suksesin në luftën e jashtëzakonshme kundër drogës. Të dalësh dhe t’u thuash shqiptarëve atë që nuk thotë raporti, nuk është kjo ajo që presin shqiptarët. Raporti thotë se demokracia nis me zgjedhjet, siç është e vërteta. Zgjedhjet janë të manipuluara dhe jo të lira. Komisioni thekson: mungesë të fushës së lojës të barabartë. Pra, si Shën Thomai, e ka vënë gishtin aty ku prova është absolute. Tek barazia e lojës. Thotë se u keqpërdorën burimet publike. Pra, thotë se shteti dhe partia u sollën një. Dhe se nuk janë zbatuar rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias. Pra, nuk ka shkëlqim”, shtoi kreu demokrat. (A2 Televizion)
