Ndryshimet në sistemin bankar, ekspertët: Mirëpriten investimet në bujqësi

Nga A2 CNN
17 Prill 2019, 22:50 | Ekonomi
Ndryshimet në sistemin bankar, ekspertët: Mirëpriten investimet

Shumë zhvillime kohët e fundit për sistemin bankar. U largua Societe Generale dhe në tregun bankar shqiptar, ashtu si edhe në vendet e tjera të rajonit ku ajo operonte, u fut hungarezja OTP Bank.

A do të nxisë ky emër i ri konkurrencën në një nga tregjet më të rëndësishëm të ekonomisë shqiptare? Kreditimi mbetet anemik, çka flet për një ngecje të ekonomisë dhe stepje të biznesit. Borxhlinjtë e bankave nuk po kthejnë borxhet e vjetra e duket se kjo po mban peng dhënien e kredive të reja.

“OTP ka shfrytëzuar momentin, ka blerë edhe në Bullgari dhe Rumani bankat në pronësi të Societe Generale. Është pak e vështirë të përcaktosh se si do të sillet, pasi OTP vepron sipas tregut. Në Hungari OTP është bankë investimesh, është shumë agresive, që hyn në tregje me risk si agrikultura”, tha Artan Gjergji në A2 Business Week. “Ndërsa në Serbi janë sjellë ndryshe, u treguan më të qetë deri sa blenë tre banka. Ndoshta këtë qëllim kanë edhe në Shqipëri dhe pastaj mund të flasim se cilat janë qëllimet e OTP”.

“Nëse investon në bujqësi është një lajm shumë i mirë sepse bujqësia jep ndoshta pjesën më të madhe të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndërkohë që financohet jashtëzakonisht pak”, tha Emirjon Senja, gazetar, kryeredaktor i “Albeu”. “Besoj që do të ndihmojë në rritjen e të ardhurave të fermerve”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos