Ndryshon buxheti 2021, qeveria jep para për pensionistët, rindërtimin dhe bashkitë

Nga A2 CNN
8 Dhjetor 2021, 11:54 | Ekonomi
Ndryshon buxheti 2021, qeveria jep para për pensionistët,

Tri javë përpara përfundimit të vitit, qeveria ndryshon me akt normativ buxhetin e shtetit. Në Fletoren Zyrtare është botuar akti normativ, nëpërmjet të cilit rishikohen në rritje të gjithë treguesit e buxhetit, bazuar në perfomancën ekonomike të këtij viti, ku ka pasur rritje të të ardhurave, si dhe në huanë e marrë në tregjet ndërkombëtare.

Këtë vit, qeveria parashikon të arkëtojë 507,7 miliardë lekë të ardhura, ose 23,6 miliardë më shumë se parashikimi në buxhetin fillestar. 

Shpenzimet gjithashtu pritet të arrijnë në 628,2 miliardë lekë, me një rritje prej 34,5 miliardë lekë në krahasim me ligjin e buxhetit fillestar. Falë performancës së mirë në mbledhjen e të ardhurave, qeveria ka siguruar fonde për pensionistët për bonusin e fundvitit, për programin e rindërtimit dhe shlyerjen e borxheve të bashkive. Për pensionistët është vendosur në dispozicion një fond prej 3,5 miliardë lekësh, prej të cilit do të përfitojnë rreth 638 mijë pensionistë që do të marrin shpërblimin e fundvitit prej 5 mijë lekësh.

Rishikimi i buxhetit ka shtuar me 7 miliardë lekë edhe programin e rindërtimit. Fondi për rindërtimin ka arritur në 35 miliardë lekë, nga 28 miliardë lekë që ishte planifikuar në buxhetin fillestar.

Gjithashtu, qeveria ka alokuar dhe 500 milionë lekë si transfertë specifike për 61 bashkitë e vendit për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura, një problem jo i vogël që ka rënduar financat e pushtetit vendor.

Kjo është hera e pestë që qeveria ndryshon me akt normativ buxhetin e shtetit të këtij viti. Ndryshimet e shpeshta të draftit më të rëndësishëm të financave publike janë kritikuar nga FMN. Ministria e Financave ka marrë publikisht angazhimin se duke filluar nga viti i ardhshëm, nuk do të ketë më ndryshime të buxhetit dhe nëse kjo do të ndodhë, do të bëhet me procedurë parlamentare dhe jo me akt normativ.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos