
Rritja e fortë e ekonomisë digjitale, sidomos gjatë periudhës së pandemisë, ka rënë në sy të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, e cila kërkon që sektori i tregtisë “online” të formalizohet dhe të paguajë taksa, ndryshe nga sa ka ndodhur deri më sot për pjesën më të madhe të këtyre bizneseve.
Vendimi i ri i Këshillit të Ministrave, për tregtinë online dikton saktësimin e periudhës së kthimit të mallrave që tashmë është 14 ditë dhe konsumatorit nuk i mbahet asnjë shumë monetare brenda këtij afati.
Përfaqësues të këtij tregu thonë se formalizimi është i nevojshëm dhe do të ndikojë pozitivisht jo vetëm për konsumatorët, konkurrencën por edhe buxhetin e shtetit përmes pagesave të shumta që kryhen nga shitjet e vazhdueshme.
Sipas ministres së Financave, Delina Ibrahimaj, subjektet online do të gjurmohen nga një grup pune i posaçëm për t’u identifikuar dhe për t’u ligjëruar në mënyrë që të ofrojnë shërbimet e duhura. (A2 Televizion)