Në banka ranë kursimet në lekë, u shtuan në euro, shkak çmimet e larta dhe pushimet

Nga A2 CNN
31 Gusht 2023, 15:14 | Ekonomi

Shqiptarët kursyen më pak lekë muajin e shkuar. Të dhënat nga Banka e Shqipërisë tregojnë se në korrik totali i depozitave të familjeve në monedhën kombëtare ra në 425.3 miliardë lekë nga gati 433.6 miliardë qershorin e një viti më parë. Arsyet janë disa.

“Një nga arsyet që ka sjellë rënien e depozitave në lekë është kriza e çmimeve, inflacioni dhe pushimet verore. Për sezonin turistik veror shumëkujt i është dashur që kursimet t’i shpenzojë për pushime.”

Xhonsila Hoxha, këshilluese financiare

Në uljen e depozitave në banka këshilluesit financiarë llogarisin edhe normat ende të kënaqshme të interesit të titujve qeveritarë

“Janë të shumtë ata që në vend të depozitave zgjedhin të investojnë në tituj qeveritarë për shkak të normave të interesit.. Kjo pasi alternativat e tjera të investimit në vend mungojnë.”

Xhonsila Hoxha, këshilluese financiare

Ndryshe nga kursimet në lekë, kursimet e shqiptarëve në valutë muajin e shkuar janë zgjeruar ndjeshëm. Të dhënat nga Banka Qendrore tregojnë se nga më pak se 4.4 miliardë euro korrikun e një viti më parë, depozitat në valutën europiane muajin e shkuar u rritën në gati 5 miliardë duke u zgjeruar kështu me 600 milionë euro. Dhe kjo e ka një shpjegim.

“Kjo pasi ata që mund të kursejnë punojnë në kompani të mëdha, kryesisht në fushën e TIK. Zakonisht këto janë kompani të huaja të cilat pagat i ofrojnë euro.”

Xhonsila Hoxha, këshilluese financiare

Të dhënat nga Agjencia e Sigurimit të Depozitave tregojnë se janë rreth 2.6 milionë shqiptarë që jetojnë brenda dhe jashtë vendit që kanë para të depozituara në banka. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2023/07/28/shqiptaret-terheqin-kursimet-nga-bankat-per-te-perballuar-jetesen/

A2 CNN Livestream

Latest Videos