Do zbatohet në 6 qytete, menaxhimi i mbetjeve pritet të orientohet drejt ekonomisë qarkulluese

Nga A2 CNN
30 Gusht 2023, 15:24 | Ekonomi
Do zbatohet në 6 qytete, menaxhimi i mbetjeve pritet të orientohet

Pas qindra milionëve euro të shpenzuara e kalvarit të inceneratorëve, shoqëruar me disa dhjetëra zyrtarë të dënuar, Shqipëria pritet të marrë një tjetër drejtim për menaxhimin e mbetjeve.

Një projekt i mbështetur nga Qeveria Gjermane që pritet të zbatohet fillimisht në Dibër, Durrës, Tiranë, Vlorë dhe Korçë synon të garantojë ndarjen në burim që do të ketë në thelb ekonominë qarkulluese.

“Projekte të tilla krijojnë modele dhe ndihmojnë bashkitë që të mos i konsiderojnë më mbetjet vetëm si problem, por si lëndë e cila mund të kthehet në dobi të ekonomisë së vendit,” shprehet Mihallaq Qirjo nga Qendra Burimore Mjedisore.

Veç përpjekjes për të gjetur zgjidhje sa më efektive për menaxhimin e mbetjeve, në relacionin e projektit vlerësohet si i rëndësishëm edhe përafrimi i bazës ligjore shqiptare me atë të Bashkimit Europian.

Sipas ekspertëve, vendi nuk mund të aderojë në BE në kushtet aktuale.

“Kapitulli 27 është tejet i rëndësishëm për procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, ndaj vendi duhet të punoj֝ fort në drejtim të mbrojtjes mjedisore.”

Zbatimi i projektit, që pritet të nisë këtë vit, parashikohet të financohet me një kredi me interesa të leverdishëm nga Banka Gjermane prej 50 milionë eurosh, dhe përmes tre granteve me vlerë 16 milionë euro.

Ai do të financojë ndërtimin e një sërë qendrave të menaxhimit dhe ndarjes së mbetjeve, landfilleve, rehabilitimin e atyre ekzistues dhe furnizimin me makineritë dhe pajisjet e nevojshme për grumbullimin e transportin e mbetjeve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos