Bergamo ishte një nga zonat më të goditura nga pandemia e koronavirusit në Itali dhe një nga shkaqet e përhapjes së shpejtë të Covid-19, sipas ekspertëve, mendohet të ketë qenë edhe ndeshja mes Atalanta-s dhe Valencias për Champions League.
Bergamo zbriti e “gjitha” në rrugë pas kualifikimit historik dhe që prej asaj kohe, futbollistët e Atalanta-s u izoluan, ndërsa virusi bëri kërdinë në qytetin e tyre. Tashmë që situata është duke iu rikthyer normalitetit, nisi edhe futbolli.
Shumë gjëra kanë ndryshuar, por skuadra e drejtuar nga trajneri Gasperini, dhe këtë e provoi edhe Sassuolo, e cila doli e mposhtur me rezultatin 4-1 nga stadiumi "Atleti Azzurri".
Berat Gjimshiti ishte autori i golit të parë, që në minutën e 16 në këtë ndeshje. Mbrojtësi shqiptar u lirua bukur brenda zonës, pas një goditje nga këndi, dhe e shtyu topin në rrjetë.
Dy gola të tjerë po në pjesën e parë, me Zapata-n dhe një autogol i miqve. Në pjesën e dytë, sulmuesi kolumbian realizoi edhe golin e dytë personal dhe të katërtin për skuadrën e tij. Në fundin e takimit, miqtë shënuan golin e nderit me anë të Bourabia.
Me këtë fitore, Atalanta konsolidon pozitat në vendin e katërt, në kuotën e 51 pikëve, 5 më shumë se Roma. (A2 Televizion)