
Mbrojtësi i kombëtares shqiptare, Marash Kumbulla, u rikthye në lartësinë ku e kishte lënë këtë fazë të Serie A, mbrëmjen e së shtunës kur Verona fitoi 2-1 ndaj Cagliarit.
20-vjeçari zhvilloi një ndeshje të madhe ndaj një kundërshtari me cilësi dhe për më tepër që luajti gati një pjesë loje më një lojtar më shumë. Pas ndeshjes, Kumbulla u shpreh se ende ekipi nuk është në 100% të formës, ndërsa foli edhe për zërat e merkatos, të cilët e çojnë një herë te Juventusi dhe njëherë te Interi.
“Kishim një dëshirë të madhe për t’u kthyer në fushë. Ishte një fitore e bukur, të gjithë luajtëm mirë, disa prej nesh shkëlqyen. Nuk jemi akoma në 100%, por stërvitjet po na ndihmojnë të kthehemi gradualisht ata që ishim në muajin mars. Ftohtësia ime në lidhje me interesimin e Juventusit dhe Interit? Kështu jam unë. Le të themi se kjo është meritë e atyre që më rrethojnë: shokëve të skuadrës, trajnerit dhe klubit, të cilët më kanë ndihmuar shumë”, u shpreh mbrojtësi shqiptar. (A2 Televizion)