
Një 49-vjeçar është vënë në pranga nga policia e Tiranës pasi ishte shpallur në kërkim nga Britania e Madhe ku akuzohet për organizatë kriminale me qëllim trafikun e drogës, dhe mbajtja, blerja, shitja, dhe transferimi i produkteve të veprës penale.
Mësohet se personi i arrestuar është shtetasi me iniciale M. C., 49 vjeç, banues në Tiranë.
“Kapet dhe vihet në pranga, me qëllim ekstradimi, 1 shtetas i shpallur në kërkim ndërkombëtar për organizatë kriminale me qëllim trafikun e drogës, dhe mbajtja, blerja, shitja, dhe transferimi i produkteve të veprës penale.
Shërbimet e Seksionit të Kërkimit, në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar, në bashkëpunim me Interpol Tirana, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë policore, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar "Catch", si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi provizor, me qëllim ekstradimin drejt Britanisë, i shtetasit:
- M. C., 49 vjeç, banues në Tiranë.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata District Judge, Stevenge Magistrates Court, ka lëshuar urdhër arresti ndaj tij, për veprat penale “Organizatë kriminale me qëllim trafikun e drogës", dhe "Mbajtja, blerja, shitja, dhe transferimi i produkteve të veprës penale", parashikuar nga Kodi Penal Britanik”, njofton policia. (A2 Televizion)