
Pas gëzimit për marrjen e kontrollit të Khersonit, presidenti ukrainas Zelensky shpalosi dhe objektivat e reja të ushtrisë së vendit të tij në përballjen me rusët që zgjat prej muajit shkurt.
“Nuk do të harrojmë askënd. Nuk do të lemë asnjë pas. Gëzimin e lirimit të Khersonit do ta provojnë shumë shpejt dhe Henicesk dhe Melitopoli. Do të mbërrijmë të gjithë qytetet dhe fshatrat e Donbasit. Me siguri që flamuri ukrainas do të valëvitet dhe në Krime” u shpreh presidenti Zelensky.
Ndërkohë që në Khersonin e sapo çliruar është vendosur një gjendje shtetrrethimi prej orës 17:00 të mbrëmjes deri në mëngjes për motive sigurie.
Menjëherë në qytetin që ra i pari në duart e rusëve është rikthyer policia ukrainase dhe shërbimet televizive dhe radiofonike vendase.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ihor Klymenko konfirmon se tashmë 200 agjentë policie janë vendosur në qytet për të kontrolluar sigurinë.
Ekipet xheniere kanë nisur menjëherë nga puna për të hequr të gjitha bombat apo minat të lëna pas nga rusët si dhe po hetohen krimet e luftës. (A2 Televizion)