Në Kosovë ngrihen barrikada të reja, ekspertët: Serbia ka shkelur marrëveshjen e Kumanovës, shqetësues reagimi ndërkombëtar  

Nga A2 CNN
27 Dhjetor 2022, 21:28 | Kosova
Në Kosovë ngrihen barrikada të reja, ekspertët: Serbia ka

Situata në veriun e Kosovës po merr një kthesë tensioni dramatike, kur në një kohë kur pritej një zgjidhje të ngërçit, janë ngritur barrikada të reja dhe ushtria serbe ndodhet gjithmonë e më afër kufirit.

Eksperti i sigurisë Bedri Elezi, i ftuar në “Debat” jep mendimin e tij për situatën “Kemi dy barrikada të reja, këto veprime bëhen për shkak të presionit që i është bërë nga zyrat e QUINT presidentit Vucic, që i kërkojnë atij të heqë barrikadat për 48 orë përndryshe do të japë dritën jeshile Prishtinës për largimin e tyre. Eshte realizuar një takim midis Kurtit dhe partnerëve për largimit të barrikadave, dhe unë besoj se kjo ka për të ndodhur së shpejti.

Po pse KFOR nuk po merr iniciativë, edhe pse ka qenë gjatë këtyre ditëve objekt sulmesh?

Analisti Arben Ahmeti, drejtuesi Kanal 10 në Kosovë, ka një përgjigje juridike. “KFOR është ushtri për mbrojtjen e sovranitetit në bazë të rezolutës 4044, barrikadat nuk vlerësohet si ndërhyrje në sovranitet por pakënaqësi qytetare. Ai është në fakt organizim edhe qytetar edhe politik edhe kriminal, por nuk është ushtarak, dhe unë nuk do të doja një ndërhyrje të KFOR, mjafton angazhim policor aty, nga momenti që ka prishje të rendit dhe qetësisë, nga pikëpamja juridike”, tha ai për A2 CNN.   

Por ka edhe një aspekt politik. “Në aspektin politik, çfarë po ndodh është që presidenti serb Vucic po kërkon të fitojë terren para marrëveshjes përfundimtare, dhe kryeministri Kurti me të drejtë ka provuar që me anë të vendosjes të disa rregullave të caktuara të përgatisë terrenin”, shton ai.  

Ahmeti evidenton edhe një mesazh të ndërkombëtarëve ndaj Kurtit. “Ne kemi pasur momente kur policia e Kosovës i ka hequr dhunshëm barrikadat, nuk është diçka e panjohur. Ajo që ndryshon kësaj here është qe nuk ka pasur konsultim me EULEX, dhe si rezultat policët tanë kanë qenë 9 ditë aty të bllokuar,  pa ushqim, dhe vetëm pas kërkesës zyrtare shkoi dhe i ndërroi. Për herë të parë në historinë e Kosovës EULEX nuk reagon për 9 ditë, sipas rregullit gjithmonë i pari që reagon është policia e Kosovës, i dyti EULEX i treti KFOR,  dhe për vite të tëra kjo gjë ka funksionuar mirë.  Kryeministri ynë është lënë i izoluar nga partnerët ndërkombëtar për t’i treguar se Kosova pa EULEX nuk ka mundësi të vendosë ligin”, shton analisti.

Ndërkohë Elezi shton se ka një ndryshim tjetër thelbësor nga krizat dhe barrikadat e mëparshme. ”Metoda është e ngjashme me rastet e tjera ndër vite,  por tani kemi një kontingjent special të shërbimeve sekrete, dhe të GRU ruse, prandaj analistët mendojnë se mund të kemi një përplasje serioze, siç ka ndodhur edhe në Bosnje dhe në Mal të Zi”, thekson ai.  

Analisti Ben Andoni tregon shqetësimet e tij. “ Në aspektin makro, besimi që ishim afër fillimit të dialogut, tashmë duket i largët. Mediat serbe flasin që të gjithë serbët në Kosove janë të armatosur, shenjë që kemi të bëjmë me një skenar i filluar qysh nga kufiri që i është vendosur Mitrovicës. Më shqetëson që është shkelur edhe de jure marrëveshja e Kumanovës, që parashikon që armët konvencionale duhet të jenë të paktën 5 kilometra larg kufirit, ndërkohë që sot janë vetëm 2 kilometra, dhe këto tregohet edhe mos seriozitetin  e organizmave ndërkombëtare. Kosova është shtet i ri dhe ka nevojë të asistohet. Për këtë do të duhet të raportonte Këshilli i Sigurimit, por kjo do të hasë në pengesën e Rusisë dhe indiferencën e Kinës dhe Indisë. KFOR në kohën ku jemi është tjetër element shqetësues, akoma nuk ka kthyer përgjigjen zyrtare ndaj Serbisë ku duhet të thuhet se trupat e tyre nuk janë të nevojshëm në veriun e Kosovës”. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2022/12/27/ide-e-keqe-te-luash-me-zjarrin-shqiperia-paralajmeron-serbine/
https://a2news.com/2022/12/27/osmani-per-sulmet-ndaj-gazetareve-ne-veri-qellimi-i-beogradit-te-fshehe-te-verteten/

A2 CNN Livestream

Latest Videos