Në luftë me kohën, artistja 75-vjeçare pikturon portretet e nënave heroina

Nga A2 CNN
30 Mars 2023, 14:57 | Bota
Në luftë me kohën, artistja 75-vjeçare pikturon portretet

Artistja 75-vjeçare nga Vietnami, Dang Ai Viet, ka nisur një mision. Ajo dëshiron të pikturojë portrete të sa më shumë "nënave heroina", të grave që kanë dhënë kontribut të rëndësishëm gjatë Luftës së Vietnamit.

Ato përfshijnë gra që kanë humbur dy ose më shumë djem, ose djalin dhe burrin gjatë luftës. Nga të gjitha gratë që morën këtë titull nderi në Vietnam, rreth 5000 prej tyre janë ende gjallë.

Shumica e këtyre "nënave heroina" janë në të 90-at e tyre, ndërsa më e moshuara që Viet ka takuar është 105 vjeçe.

Viet, e cila iu bashkua Viet Kongut në moshën 15-vjeçare si luftëtare guerile, thotë se e konsideron veten pjesë të historive të tyre dhe i kupton sakrificat e luftës. Bilanci i viktimave gjatë Luftës së Vietnamit nuk është i saktë, por thuhet se kanë mbetur miliona të vrarë.

Qeveria vietnameze ka thënë se kanë humbur jetën rreth 4 milionë njerëz, ndërsa Ministria e Mbrojtjes e SHBA ka thënë se 58.000 trupa amerikane janë vrarë.

Vetë lufta mbahet mend për një përqindje jashtëzakonisht të lartë të vdekjeve civile. Në provincën Dong Thap në Deltën e Mekong, pranë vendlindjes së saj, Viet vizitoi së fundmi dy nga nënat heroina, duke kaluar kohë me to dhe duke treguar historitë e të tjera grave që ka takuar që nga fillimi i këtij projekti në 1997.

Një prej tyre është 98-vjeçarja Huin Ti Bei, e cila ka jetuar pjesën më të madhe të jetës së saj pa burrin dhe djalin e saj të madh, pasi të dy vdiqën në vitin 1969.

Pas përfundimit të çdo pikture, Viet shënon detaje të gruas duke filluar me emrin dhe vendlindjen e saj dhe gjithashtu se ku dhe kur u vra burri ose djali i saj.

Portretit i jepet më pas një vulë autenticiteti nga qeveria lokale, tek e cila Viet mbështetet shumë për të gjetur nënat.

Këto portrete iu dhurohen familjarëve si një kujtim, duke e kthyer këtë në një gjest domethënës pasi shumica e grave nuk kanë pasur kurrë një foto të tyren më parë.

Viet, e cila ishte mësuese e artit në Institucionin e Arteve të Bukura të qytetit Ho Chi Min, përdor pensionin e saj për të financuar udhëtimet dhe e ka kthyer këtë projekt në një mision që kur i shoqi vdiq në 2014.

Ajo ka punuar gjerësisht në Vietnamin jugor këto gjashtë muajt e fundit, duke përshkuar më shumë se 10 mijë km në kërkim të "nënave heroina".

Por që kur ajo filloi, ajo mendon se ka bërë më shumë se 200 mijë km duke udhëtuar drejt qyteteve malore në kufi me Kinën dhe në fushat e orizit të Deltës së Mekong në pjesën më jugore të Vietnamit.

Ajo ka pikturuar 2765portrete dhe nuk ka në plan të ndalet.

"Këta luftëtarë, këta dëshmorë, vdiqën në një luftë dhe nënat e tyre janë njëlloj si e juaja apo e imja. Secila prej nesh ka mënyrën evet për të bërë homazhe. Mënyra ime për të qenë mirënjohëse ndaj këtyre nënave është që kontribuoj me një aftësi që më ka mësuar Partia, ndaj i pikturoj me zemër dhe me dashurinë për këtë vend. Është e vështirë për brezat që kanë lindur pas gjithë mundit dhe sakrificës që është bërë, ata që kanë paguar çmimin janë babai, daja apo gjyshërit e tyre. Dhe për shkak të sakrificave, nënat e tyre u bënë heroina. Unë pikturoj në mënyrë që brezi i tanishëm dhe ai pasardhës të kenë mundësinë të shohin shikimin në sytë e një nëne që humbi më shumë se një nga djemtë e saj. Dëgjova secilën prej historive të këtyre nënave dhe sakrificës së tyre. Ashtu si nëna heroinë Hai Ti Bei sot, burri dhe djali i secilës vdiqën njëri pas tjetrit në të njëjtin vit. Vetëm heronjtë mund ta durojnë këtë dhimbje. Ishte mjaft shkatërruese që një nënë të mësonte për vdekjen e djalit të saj, por dhimbja bëhet e padurueshme kur mëson vdekjen e burrit dhe djalit të saj, njëri pas tjetrit, brenda një periudhe të shkurtër kohore. Piktura sot do të bëhet një kujtim i kësaj nëne. Tani e tutje është një foto e saj në pronësi të familjes, të cilët mund ta ndjejnë ngrohtësinë e shikimit të saj."

Në një moment ajo nuk do të jetë më këtu me ne, por do të duket sikur ende është mes familjes.

"Unë dua t'i pikturoj të gjitha. Frika ime më e madhe është se ato do të largohen nga kjo botë dhe nuk do të doja kurrë që të mungonte në këtë projekt asnjëra prej tyre. Po ju them, kjo është një garë kaq mizore me kohën. Sepse koha nuk pret. Këto nëna tani janë shumë të moshuara. Njerëzit vijnë e shkojnë. Ky është cikli i jetës. Kështu që, nëse do të vonohesha pak, mund të mos arrij në kohë." (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos