Në rajonin qendror të Greqisë, mbi peizazhin e Meteoras (që do të thotë pezull në ajër), murgjit jetojnë në manastire përrallore vendosur në buzë të disa majave të larta. Në shekujt e kaluar, ky vend adhurimi u siguronte atyre vetmi dhe mbrojtje nga shkelësit e padëshiruar, por sot, manastiret ortodokse janë një nga destinacionet më të njohura në të gjithë Greqinë.
Vetëm disa orë nga Athina, monolitet e erës ngrihen papritmas nga toka, duke formuar një sfond magjik në kontrast me fushat e sheshta përreth tyre. Këto pamje kanë qenë frymëzim për sfondet e panumërta të filmave duke përfshirë dhe serialin "Game of Thrones".
Megjithatë, përtej manastireve dhe maleve, Meteora nuk është vetëm kaq, por edhe një vend që dëshmon një nga vendbanimet më të lashta të njeriut, 130 000-vjeçare, në shpellën Theopetra. Në të gjendet dhe struktura më e vjetër e bërë nga njeriu në botë: një mur që besohet të jetë 23 000 vjet i vjetër.
Gjatë shekullit të 14-të, murgu Athanasios Koinovitis solli një grup pasuesish të devotshëm asketësh nga Mali Athos në Meteora. Të mahnitur nga ky vend që mund t’u lejonte atyre meditimin dhe adhurimin në paqe, pushtuan malet përreth dhe nisën krijimin e parajsës së tyre të shenjtë tokësore. Nga viti 1356 deri në 1372 u krijua Manastiri i parë i Madh, Meteoron.
Vite më vonë, kur turqit përparuan në Greqinë Veriore, shumë murgj i shpëtuan persekutimit duke u ngjitur në male për t'u siguruar. Me kalimin e kohës u ndërtuan 24 manastire, shtylla të pjerrëta, një rrjet litarësh dhe shkallë që përdoreshin nga asketët. Përmes këtij sistemi, murgjit ortodoksë i mbijetuan lehtësisht shekujve të luftës, betejave dhe çdo vështirësie tjetër. (A2 Televizion)