Dyshimi për vota të manipuluara në Mitrovicë, KQZ: Gabim teknik në shtypjen e kodit të vendvotimit

Nga A2 CNN
11 Nëntor 2025, 10:52 | Politikë

Dyshimi për vota të manipuluara në Mitrovicë, KQZ: Gabim

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka dalë më një komunikatë për mediat ku sqaron situatën e krijuar në qendrën e numërimit në Mitrovicë, ku mbrëmjen e djeshme mësynë policia dhe prokuroria duke ndalur procesin e numërimit të votave për balotazhin e zgjedhjeve lokale.

KQZ njofton se është konstatuar një gabim teknik në shtypjen e njërit prej elementeve të fletëvotimeve, konkretisht në kodin e vendvotimit, çka shkaktoi edhe kaosin.

“Pas shqetësimeve të ngritura në opinion lidhur me zhvillimet gjatë procesit të verifikimit të rezultateve në Qendrën Komunale të Numërimit në komunën e Mitrovicës së Jugut, KQZ sqaron se bazuar në informatat e pranuara nga Komisionet Komunale të Zgjedhjeve në Gjakovë dhe Mitrovicë të Jugut, është konstatuar se në disa prej dengjeve të fletëvotimeve ka ndodhur një gabim në shtypjen e njërit prej elementeve të fletëvotimit, konkretisht në kodin e vendvotimit. Në lidhje me këtë çështje, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka komunikuar me kompaninë përgjegjëse për shtypjen e fletëvotimeve, e cila ka pranuar mundësinë që gabimi të ketë ndodhur në printerin mekanik që vulos të dhënat variabile. Kompania ka konfirmuar se në ditët në vijim do të përgatisë sqarim zyrtar lidhur me këtë rast”, sqarohet në komunikatë.

KQZ shton më tej se “numri i përgjithshëm i fletëvotimeve të shtypura është evidentuar saktë”.

Për më tepër, për secilin vendvotim, fletëvotimet e shtypura kanë numra serikë të shënuar në pjesët amë të fletëvotimeve, të cilët përputhen plotësisht me numrin e fletëvotimeve të pranuara dhe të verifikuara deri më tani në Qendrën Komunale të Mitrovicës së Jugut dhe Gjakovës. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve siguron publikun, votuesit dhe të gjithë akterët e përfshirë në procesin zgjedhor se ky gabim teknik nuk ndikon në asnjë mënyrë në integritetin e procesit të votimit apo të numërimit të votave, pasi fletëvotimet përmbajnë elemente të shumta sigurie që garantojnë se ato nuk mund të falsifikohen apo kopjohen”, nënvizon më tej KQZ në Kosovë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos