“Lufta? Mund të fillojë në çdo moment, pavarësisht motit. Shpesh herë kushte atmosferike të vështira janë një mënyrë maskimi e duhur në qoftë se synohet një sulm”.
Është i bindur për këtë Denis Pushilin, një nga liderët separatistë të së ashtuquajturës Republika e Donjeskut, territor formalisht ukrainas në kufi me Rusinë që nga viti 2014 skenar i një lufte me forcat e Kievit që ka shkaktuar rreth 15 mijë viktima.
Në një intervistë për Reuters, Pulishin, i mbështetur nga Rusia, nuk përjashton mundësinë e një konflikti të hapur me dimensione të mëdha në Ukrainë, dhe diçka të tillë e lë të kuptohet kur deklaron se fokusi i Rusisë nuk duhet të jetë vetëm te rajoni i Donjeskut, por në gjithë territorin ukrainas ku jetojnë rusë”. Por ai paralajmëron që hipoteza e një konflikti të hapur do të ishte shkatërrimtare. “Do dëshiroja ta shmangnim, sepse mund të ishte konflikti i fundit për njerëzimin”.
Por jo të gjitha mendimet janë të njëjta, edhe brenda liderëve separatiste të mbështetur nga Moska. Ndërkohë që Pulishin mendon se separatistet mund të mbrohen vetë nga atë që ai cilëson si provokime të Kievit, dhe që ndërhyrja e Moskës duhet të ndodhte vetëm nëse forcat ukrainase kalojnë “linjën e kuqe” të përcaktuar në 2014, një lider tjetër mendon disi ndryshe.
Bëhet fjalë për Alexander Khodakovsky, që në republikën e vetëshpallur ka mbajtur edhe postin e ministrit të Brendshëm.

Sipas tij, separatistët pa ndërhyrjen e menjëhershme dhe masive të forcave ushtarake ruse, i të paktën 30 mijë trupave, nuk mund të rezistojnë gjatë.
“Kemi rreth 30 mijë forca, por vetëm 10 mijë prej tyre janë në gjendje për të luftuar në front” thotë ai, që shton se edhe armatimi i tyre po mbaron dhe se gjithsesi nuk është i mjaftueshëm.
Khodakovsky mendon se diçka mund të ndodhë pasi Rusia të njohë formalisht republikat separatiste. Edhe pse ka shpërndarë në popullatën e Ukrainës lindore rreth 600 mijë pasaporta ruse, Moska deri më tani nuk ka formalizuar një njohje të republikave separatiste, por së shpejti një iniciativë e tillë pritet të kërkohet nga disa parlamentarë.

Mund të jetë shkëndija e konfliktit, ndërkohë që rreth 100 mijë ushtarë rusë ndodhen tashmë në kufi, në pritje të një sinjali. (A2 Televizion)