Ushtria e Ukrainës kreu një stërvitje ushtarake me tanke dhe armatime të rënda në rajonin Kherson në jug të vendit pranë Gadishullit të Krimesë, të cilin Rusia ia aneksoi në vitin 2014. Një prej pikave nga mund të vijë sulmi i ushtrisë ruse është pikërisht Krimeja, ku së fundmi Putin ka shtuar praninë ushtarake, sikurse edhe në zona të tjera në kufirin mes dy shteteve.
Në pamjet e publikuara nga Forcat e Armatosura të Ukrainës të hënën tregohet përgatitja e predhave anti-tanik të vendosura aty për të zmbrapsur sulmin e armikut. “Tanket janë forca kryesore e çdo sulmi. Prandaj njësitë tona anti-tank duhet të jenë gjithmonë gati për betejë”, tha për Reuters Gjenerali Serhiy Nayev, Komandant i Forcave të Armatosura të Ukrainës.
Rusia ka vendosur rreth 30 mijë trupa në Bjellorusi, dhe 100 mijë të tjera në kufirin lindor me Ukrainën, sipas NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara. Përpjekjet për dialog mes palëve vijojnë, por sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës shihet si diçka që mund të ndodhë në çdo moment.
Rusia kërkon që NATO të mos e pranojë Ukrainën në aleancën e vet ushtarake, kërkesë e hedhur poshtë nga Aleanca e Atlantikut Verior. (A2 Televizion)