
Joe Biden rrezikon të jetë në telashe të mëdha, për shkak të zgjerimit të çështjes me dokumentet sekrete. Presidenti amerikan ka kryer të njëjtin gabim, ndoshta dhe shkelje ligjore, si paraardhësi i tij, Donald Trump.
Për këtë, sekretari i drejtësisë, Merrick Garland, emëroi një prokuror special për të hetuar gjetjen e dosjeve me materiale të klasifikuara në zyrën e tij private në Uashington, garazhin e shtëpisë së tij në Delaware.
“Po janë gjetur aty ku mbaj Corvett-ën time, në garazh të mbyllur dhe jo në rrugë. Njerëzit e dinë që unë i marr seriozisht dokumentet sekrete. Ne po bashkëpunojmë plotësisht me departamentin e drejtësisë për këtë çështje”, tha Biden.
Më tej, presidenti konfirmoi se dokumentet e klasifikuara kanë qenë gabimisht në të dyja lokacionet. Konkretisht, bëhet fjalë për materiale shtetërore që nga periudha e administratës Obama-Biden, të cilat sipas protokollit duhej të ishin dorëzuar në përfundim të mandatit në Arkivën Shtetërore të Uashingtonit. Shtëpia e Bardhë konfirmon se ekipi ligjor i Biden po bën gjënë e duhur, duke bashkëpunuar me drejtësinë dhe ofruar transparencë edhe për publikun. Republikanët kërkojnë dhe një hetim të Kongresit për letrat sekrete të gjetura në zyrën dhe shtëpinë e presidentit dhe akuzojnë 80-vjeçarin për përdorim politik të drejtësisë.
“Ekipi i tij nuk u përgjigjet pyetjeve, por i keni parë të publikojnë imazhe të dokumenteve të presidentit Trump. Ku janë fotografitë e dokumenteve të presidentit Biden? Ai e ka ditur këtë përpara zgjedhjeve dhe jepte intervista duke kritikuar Trumpin. Kjo bën që Amerika mos t’i besojë qeverisë së saj”, tha Kevin McCarthy, kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve. Gjithashtu, republikanët në Kongres po kërkojnë që të shikojnë listën e vizitorëve në shtëpitë e presidentit Biden, me arsyetimin se zbulimi i dokumenteve sekrete përbëjnë një rrezik për sigurinë kombëtare. (A2 Televizion)