
Hapja e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut duket se do bllokohen sërish nga Bullgaria për shkak të mosmarrëveshjeve që kjo e fundit ka me Shkupin zyrtar.
Gjatë dorëzimit të emrave të kabinetit të ri tek presidenti, i nominuari për kryeministër Kiril Petokov u shpreh se Bullgaria nuk do të ndryshojë qëndrimin e saj ndaj Maqedonisë së Veriut.
“Pozicioni bullgar mbetet ashtu siç është, por ne duam ta përmirësojmë. Nuk duam të vazhdojmë vetëm me deklarata nga të dy anët e kufirit, por duam të ulemi bashkë, ekipe nga sfera të ndryshme, të punojnë për fqinjësi të mirë. Por, në të njëjtën kohë ne do të mbrojmë interesat kombëtare bullgare”, tha Petkov.
Partia e Petkovit “Vazhdojmë me ndryshimet”, e cila fitoi zgjedhjet e treta parlamentare më 14 nëntor, ka arritur të formojë koalicion me socialistët, populistët dhe partinë e qendrës së djathtë, “Bullgaria “Demokratike”.
Bullgaria, si shteti anëtar i BE-së, që nga nëntori i vitit 2020 ka bllokuar nisjen e bisedimeve për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian. Sofja kërkon marrëveshje për identitetin, gjuhën dhe dallimet historike mes dy vendeve. Sofja insiston që Shkupi të pranojë se gjuha maqedonase dhe identiteti maqedonas, para vitit 1945, kanë pasur prejardhje bullgare. (A2 Televizion)