
Kandidatët e PD në zgjedhje, analistët: Listë politike, akomodon në vende të sigurta aleatët
Listë politike, pa asnjë surprizë dhe pa guxim e kanë konsideruar në “Absolut 4” analistët Lutfi Dervishi, Gjergji Vurmo dhe Edlira Gjoni, listën e kandidatëve të PD-së në zgjedhjet e 25 prillit. Sipas Dervishit kjo listë konfirmon vullnetin e kryetarit të partisë dhe tregon sesi do të jetë parlamenti pas zgjedhjeve. Ai thotë se opozita duhej ta kishte bërë më parë listën e kandidatëve dhe jo në momentet e fundit, sikundër PS.
“Lista e PD është listë politike i duhet të akomodojë në vende të sigurta aleatët kjo është pjesë e faturës që PD duhet të paguajë. Lista e Tiranës nuk ka surpriza. Kjo listë sot na krijojnë një ide sesi do të jetë parlamenti i 25 prillit në vende të sigurta. Ne e shohim parlamentin sot gara bëhet për 15-25 deputetë që do bëjnë diferencën. Konfirmojnë vullnetin e kryetarëve të partive politike. Nga opozita pritej që të bëhej dhe dy muaj më parë dhe jo në limitet e fundit nuk ka ndonjë element surprizë për të mos e ditur këtë listë duhet t’i paraprinte dhe jo të pasonte mazhorancën. Sindroma e marrjes së vendimit në momentin e fundit mbetet prezente edhe ne 2021
Edhe Gjergji Vurmo ndau të njëjtin mendim që lista është politike dhe është në limitet e përfaqësimit të grave.
“Një listë politike, nuk tregon kurajo dhe guxim. PD nuk është shquar për estetikë, as nga ky aspekt nuk lë shije të mirë, është në limitet e përfaqësimit të grave. Kemi 7 zonja dhe jo të gjitha të pozicionuara në vendet më të mira”.
Për Edlira Gjonin gabimi i madh i PD-së është që është pozicionuara në mbrojtje dhe jo në sulm sikurse PS.
“Nuk ka rritur të amortizojë presionet e brendshme, këtë listë ne e dimë prej 4 vitesh. Një gabim i madh i PD ishte në mbrojtje, ndërkohë që PS është në sulm. E gjitha kjo e ka bërë PD të izolohet në një situatë e pafavorshme”.
Listat, Krasniqi në “Absolut 4”: Konsensus për të dëbuar qytetarët e pavendosur
Analisti i A2, Afrim Krasniqi, deklaroi për “Absolut 4” në A2 se listat e partive kryesore politike i dhanë goditje të rëndë retorikës për lista të hapura.
“Rama, duke qenë se lufton për mandatin e tretë, afroi njerëz nga poste administrative, duke qenë se e kishte të lehtë të ndryshonte vendosjen e individëve. Vetëm kryebashkiaku i Vlorës i bëri një rezistencë simbolike. PS ndoqi politikën e simboleve dhe aktet simbolike që ndërmori, kanë efekt elektoral. Në lidhje me PD-në, shqetësimi kryesor i kësaj partie ka qenë për të mbyllur sherret e “oborrit”, shpjegoi Krasniqi.
Sipas tij, listat paraprake janë një lloj konsensusi mes partive të mëdha që të dëbojnë të pavendosurit ose t’i detyrojnë që të zgjedhin të keqen më të vogël.
“Sot pati një risi të madhe: e gjithë retorika për lista të hapura, sot mori goditjen më të madhe nga dy partitë kryesore politike. Risia tjetër është rritja e madhe e numrit të të pavendosurve dhe në vend që të shkosh me listë, imazh dhe program në drejtim të të pavendosurve, partitë ofrojnë militantët, besnikët si alternativë. Është një lloj konsensusi për t’i dëbuar të pavendosurit ose duke i detyruar njerëzit që të zgjedhin të keqen më të vogël”, theksoi Krasniqi.
Dervishi: Shumë e vështirë që partitë e reja të sigurojnë përfaqësim parlamentar
Analisti Lutfi Dervishi u shpreh në “Absolut 4” se do të jetë “shumë e vështirë që partitë e reja të sigurojnë përfaqësim parlamentar”.
“Ka shumë parti të reja. Nëse nuk arritën dot të bashkohen me njëra-tjetrën për të rrëzuar partitë e vjetra, si do t’ia arrijnë të vetme? Janë njerëz që kërkojnë të konfirmohen në politikë përmes vullnetit të votuesve. A është i përgatitur votuesi për ndryshim dhe për të shpërndarë votën? Unë nuk i shoh këto parti të reja me ide të fuqishme që të trondisë elektoratin”, theksoi Dervishi.
Ndërsa Edlira Gjoni nënvizoi se, “për shkak të sistemit, zonja Topalli do ta ketë jashtëzakonisht të vështirë që të nxjerrë një deputet”.
“Lista nordike, që thotë zonja Topalli, vjen pak me vonesë për votuesin shqiptar dhe duhet të kishte ardhur kur ajo ishte në PD. Në kushte të tjera dhe para disa vitesh, kjo listë nordike do të kishte sjellë ndryshim nordik në PD. Jashtë saj, nuk besoj se bën ndryshim”, deklaroi Gjoni.
Ndërsa Gjergji Vurmo theksoi se “zonja Topalli nuk ka kauzë dhe as program elektoral”: “Lëvizjet e saj janë bast personal më shumë sesa një lëvizje politike, që synon të ndërtojë vit pas viti”.
Lista e PS, Vurmo: Rama ka dashur të japë një mesazh te senatorët e partisë
Gjergji Vurmo komentoi në studion e “Absolut 4” në A2 listën zyrtare të kandidatëve për deputetë të Partisë Socialiste, duke u shprehur se kryeministri Edi Rama “ka dashur të japë një mesazh te senatorët e partisë”.
“Rama ka dashur të japë një mesazh te senatorët e partisë, që ky titull duhet merituar. Në kuptimin e sjelljes së votave, disa prej tyre e kanë pasur shansin për të sjellë vota, ndërsa për disa të tjerë Rama nuk është i padrejtë. Në rastin e Ditmir Bushatit, ishte figurë e promovuar nga Rama, i dha shansin për t’u treguar si ministër, por edhe si drejtues politik në Shkodër. Rezultati që morën në Shkodër, kombinuar me përplasjet e Bushatit me Ramën, sollën atë rezultat. Por, nëse Bushati do të ishte provuar si aset i pazëvendësueshëm brenda PS-së, edhe Rama nuk do të kishte bërë dot pa të në këto zgjedhje”, u shpreh Vurmo. (A2 Televizion)