
Analisti i A2, Afrim Krasniqi, deklaroi për “Absolut 4” në A2 se listat e partive kryesore politike i dhanë goditje të rëndë retorikës për lista të hapura.
“Rama, duke qenë se lufton për mandatin e tretë, afroi njerëz nga poste administrative, duke qenë se e kishte të lehtë të ndryshonte vendosjen e individëve. Vetëm kryebashkiaku i Vlorës i bëri një rezistencë simbolike. PS ndoqi politikën e simboleve dhe aktet simbolike që ndërmori, kanë efekt elektoral. Në lidhje me PD-në, shqetësimi kryesor i kësaj partie ka qenë për të mbyllur sherret e “oborrit”, shpjegoi Krasniqi.
Sipas tij, listat paraprake janë një lloj konsensusi mes partive të mëdha që të dëbojnë të pavendosurit ose t’i detyrojnë që të zgjedhin të keqen më të vogël.
“Sot pati një risi të madhe: e gjithë retorika për lista të hapura, sot mori goditjen më të madhe nga dy partitë kryesore politike. Risia tjetër është rritja e madhe e numrit të të pavendosurve dhe në vend që të shkosh me listë, imazh dhe program në drejtim të të pavendosurve, partitë ofrojnë militantët, besnikët si alternativë. Është një lloj konsensusi për t’i dëbuar të pavendosurit ose duke i detyruar njerëzit që të zgjedhin të keqen më të vogël”, theksoi Krasniqi. (A2 Televizion)