
Ish-deputeti Myslim Murrizi ka reaguar me një status të gjatë në rrjetet sociale në lidhje me kërkesën e Policisë së Shtetit që i kërkon Prokurorisë ta hetojë për akuzën e “fshehjes së të ardhurave” dhe “pastrimit të parave”.
Murrizi akuzon funksionarë të lartë të policisë se fshihen pas këtij akti, duke thënë se në vende normale hetime të tilla i nis prokuroria dhe jo policia.
Më tej, ai shton se për periudhën për të cilën akuzohet se ka fshehur të ardhurat nuk ka qenë i zgjedhur në asnjë institucion dhe për këtë arsye, nuk ka pasur asnjë arsye se përse të detyrim të deklarojë pasurinë.
“Së pari më vjen mirë që jam rasti i parë në këto 31 vite që si ish-deputet “hetohem” survejohem dhe investigohem nga Policia e Shtetit dhe jo nga organi i ngarkuar me ligj për hetim që është prokuroria. Së dyti ftoj prokurorinë të hetojë pasuritë e mia legale të deklaruara në ILDKP sipas ligjit prej 4 vitesh rresht.
Një “ hetim” i tipit të ish-sigurimit nga policia, pa pasur as denoncim, as indicie nga pozicioni im prej 31 vitesh ku nuk kam qenë as ministër, as zv/ministër, as përgjegjës për prokurimet publike, as përfitues nga prokurimet publike si aksioner në subjektet ligjore tregtare më habiti shumë.
Unë si ish deputet (2017-2021) kam qenë subjekt i deklarimit te pasurisë dhe kam kaluar edhe një kontroll të thelluar, por jo nga ish-sigurimsi Voci e as nga llumi i krimit ekonomik, por nga institucioni që është i ngarkuar me ligj të kontrollojë dhe hetojë pasuritë e deputetëve”, shkruan mes të tjerash Myslim Murrizi. (A2 Televizion)