
Rastet e të prekurve me Covid-19 janë shumë më të larta nga sa raportohen. Mjeku epidemiolog, Ilir Alimehmeti, tha në studion e A2 CNN se kjo vjen për shkak të testimeve të pakta. Sipas tij, nëse mbahet ky nivel testimi, rastet në muajt në vijim nuk do të kapen.
“Muajt e dimrit janë më të këqinj, 35-36% jemi akoma në rritje, vlera është te pozitiviteti i testeve, testet janë të pakta. Raste janë shumë më tepër sesa janë zyrtare, por sa më shumë i afrohemi dimrit, nëse mbajnë këtë nivel testimesh, aq më shumë raste nuk do të kapen”.
Shqetësim, sipas mjekut Alimehmeti, është edhe numri i lartë i atyre që kanë nevojë për spital, kur shtretërit janë shumë pak, krahasuar me vendet e tjera. Ai sugjeron hapjen e spitaleve rajonale për të evituar një karantinë të dytë që ndikon në jetën ekonomike dhe sociale.
“Situata nuk është e lehtë, rastet që kanë nevojë për spital janë një numër i konsiderueshëm. Shtretërit janë shumë pak, krahasuar me shtete e tjera. Deri më sot, ka funksionuar Tirana. Spitalet rajonale nuk janë futur në lojë. Për të evituar një karantinë të dytë që ndikon në jetën ekonomike e sociale, mjekësia duhet të thotë ku është kufiri”.
Alimehmeti thekson se menaxhimi i mirë jep efekt në pandemi dhe këtu tregon shembullin e Italisë, ku funksionoi modeli i Venetos dhe jo ai i Lombardisë.
“Që në mars është parë qartë që funksionoi modeli i Venetos, kurse Lombardia jo. Veneto shfrytëzoi qendrat e mëdha të lira nga Covid. Duhet të kujtojmë që edhe njerëzit që nuk kanë Covid, kanë të drejtë shëndetësore. Veneto ka një të pestën e problemeve të Lombardisë. Menaxhimi jep efekt. Gjithmonë ka qenë e nevojshme që spitalet rajonale të hyjnë në lojë”.
Sa u takon shkollave, mjeku Alimehmeti u shpreh kundër mbylljes së përgjithshme të tyre. Sipas tij, në ato shkolla që janë vatra të virusit duhet të testohen të gjithë mësuesit. Vatra kryesore e virusit është familja.
“Shkollat nuk janë risk i transmetimit komunitar, kemi 1760 shkolla, ka shkolla që janë vatra. Te këto shkolla duhet të testojmë të gjithë, t'i mbyllim nëse është e nevojshme,por me faktin se kemi disa shkolla me probleme nuk mund të mbyllim gjithçka. Nëse lagjja ka transmetim komunitar të sëmundjes, vatra numër 1 është familja, puna në nivel të dytë, administrata dhe shkolla është shumë më poshtë. Duke qenë se do të futen testet e shpejta, atëherë të fillojnë të testojnë mësuesit dhe ata që shfaqin shenja ndërmjet nxënësve. Pra, të mos mbetemi vetëm te temperatura dhe vetëdeklarimi që është formalitet”.
Për Alimehemetin, nuk kuptohet efektiviteti i vaksinës Pfizer. Ai thotë se u ngutën me nxjerrjen e rezultateve, të cilat nuk janë cilësore, pasi shifrat shkencore dhe të dhënat janë të paverifikuara nga hetues të tjerë shkencorë të pavarur.
“Nuk kuptohet shumë efekti i vaksinës në terma absolutë, me Pfizer duhet të vaksinohen 156 persona për të evituar një rast të ri. U ngutën me nxjerrjen e rezultateve dhe rezultatet nuk qenë cilësore, po duhet të prisnin dy-tre muaj të tjerë. Kështu do të kishte shifra më cilësore. Është hera e parë që ndodh të gjejmë shifra shkencore të paverifikuara nga hetues shkencorë të tjerë të pavarur”.
Sa i përket vaksinimit, ai tha se nuk do të jetë i detyrueshëm, por do t’i ngjajë rekomandimit të vaksinës së gripit, për grupet e riskut.
“Nuk e dimë sa zgjat imuniteti njerëzor dhe imuniteti nga vaksina”. (A2 Televizion)