Miliarderi i teknologjisë Elon Musk ka shprehur këtë të martë shqetësimin e tij për krizën demografike që po përkeqësohet në Greqi, pasi raportet konfirmuan se fqinji ynë jugor do të mbyllë më shumë se 700 shkolla për vitin akademik 2025-2026 për shkak të rënies së lindjeve.
Musk ndau në profilin e tij në platformën ‘X’ një artikull nga Visegrád 24 duke shkruar vetëm dy fjalë: "Vdekja e Greqisë".
Postimi u bë shpejt viral, duke mbledhur mbi 1.8 milion shikime brenda disa orësh dhe duke shkaktuar diskutime të nxehta në mediat sociale.
Sakaq, sipas shifrave zyrtare, Greqia do të mbyllë 721 shkolla në të gjithë vendin këtë vit, përfshirë 324 shkolla fillore dhe 358 kopshte. Mbylljet pasqyrojnë rënien dramatike të numrit të studentëve në vend, me Greqinë që regjistron një nga normat më të ulëta të fertilitetit në Bashkimin Evropian, rreth 1.3 lindje për grua.
Njoftimi ka intensifikuar shqetësimet në lidhje me qëndrueshmërinë afatgjatë të vendit, me ekspertët që paralajmërojnë për pasoja të rënda për ekonominë, fuqinë punëtore dhe strukturën sociale nëse rënia demografike nuk përmbyset.
Ndërkohë, CEO i Tesla-s Elon Musk, ka folur vazhdimisht për rënien e normave të lindshmërisë globale, duke i quajtur shpesh një nga kërcënimet më të mëdha për qytetërimin. Ai ka argumentuar se rritja ekonomike, inovacioni dhe madje edhe ruajtja e kulturës janë në rrezik nëse normat e lindshmërisë vazhdojnë të bien nën nivelet e zëvendësimit.
Shprehja e tij e ashpër, "Vdekja e Greqisë", po interpretohet nga shumë si një paralajmërim jo vetëm për Athinën zyrtare, por edhe për vendet e tjera që përballen me sfida të ngjashme demografike, si Italia, Spanja dhe Japonia.
Postimi shkaktoi një valë reagimesh në internet. Disa përdorues i bënë jehonë alarmit të Musk, duke i quajtur mbylljet e shkollave një "tragjedi kombëtare", ndërsa të tjerë argumentuan se imigracioni, reforma e politikave dhe inovacioni teknologjik mund ta zbusin krizën. (A2 Televizion)